Botë
Prishtinë, John Kerry: Nuk e vëmë në rrezik Kosovën
02.12.2015 18:15
Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, u prit në hapësirat e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës me nderime të larta shtetërore...

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, u prit në hapësirat e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës me nderime të larta shtetërore, nën përcjelljen e Gardës ceremoniale të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, dhe ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Greg Delawie.
Kerry, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se ShBA-ja ka kujdes kur propozon marrëveshje për Kosovën, pasi që ShBA-ja nuk do të mbështesë asnjë marrëveshje që cenon, shkel apo dëmton pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.
“Ne nuk do të mbështesnim asnjë marrëveshje që cenon, shkel apo dëmton pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Ne kemi investuar shumë këtu”- deklaroi sekretari amerikan i shtetit, John Kerry.
Sipas tij, marrëveshjet që Kosova i ka nënshkruar nuk janë të lehta, por aftësia për t’i marrë vendimet e zorshme për të mirën e vendit quhet lidership.
Kerri ka përcjellë respektin e presidentit Obama dhe popullit amerikan për lidershipin që po i bën këto zgjidhje. Ai po ashtu ka përgëzuar Qeverinë e Kosovës në luftën që po i bën terrorizimit, që është një prej kërcënimeve më të mëdha globale aktualisht.
Kryeministri Mustafa ripërsëriti se Qeveria është e gatshme të vazhdojë dialogun me Serbinë edhe përkundër veprimeve të dhunshme të opozitës kundër dy marrëveshjeve, për themelimin e Asociacionit dhe Demarkacionin me Malin e Zi.
Ndryshe, Kerry vizitën në Kosovë e bëri në vazhdën e vizitave të shteteve, duke përfshirë Serbinë, Greqinë, Qipron, Belgjikën dhe Francën.
Kerry vizitoi Kosovën për herë të parë, ndërkaq kjo është vizita e dytë e përfaqësuesve të lartë të shtetit amerikan pasi nënkryetari, Joe Biden, pati vizituar Kosovën në vitin 2009.
GYLTENE SINANI
