Golden State vazhdon me rekorde, tani me 20 fitore
Stephen Curry realizoi 40 pikë në fitoren e 20-të sezonale të Golden State, që sot mposhti 116-99 Charlotte në ndeshjen e radhës në kampionat...
Vijon kështu paraqitja e shkëlqyer e skuadrës kampione, që ende nuk po ndalet këtë sezon, duke vendosur një rekord të ri. Mirë u paraqit edhe Klay Thompson me 21 pikë, një dyshe që edhe një herë bëri diferencën në fushë. Një start fantastik i ekipit të “Shtetit të Artë”, që vijon të mbetet pretendentja kryesore për titull.
Perëndimi vijon të jetë protagonist në kampionatin e NBA-së dhe një nga ekipet pretendente është San Antonio, që mposhti 95-70 Milwaukee. Veterani Tim Duncan ishte më i miri për Spurs, me 16 pikë e 10 rebaund, në suksesin e 15-të sezonal.
Ndërkohë, Kobe Bryant rikthehet protagonist për skuadrën e Lakers, duke realizuar 31 pikë në fitoren e ekipit të tij, 108-104 ndaj Washington në fushën e këtij të fundit. Ai fitoi duelin me Wall, 34 pikë e 11 asist, ndërkohë që nuk munguan duartrokitjet e tifozëve për yllin e Lakers, I cili në fund të këtij sezoni paralajmëroi pensionimin.