Dita Botërore e Personave me Nevoja të Posaçme, invalidët e punës në Çair kërkojnë mjekim falas
Shoqata e Invalidëve të Punës në Komunën e Çairit ka shënuar sot Ditën Botërore të Personave me aftësi të kufizuara...

Me këtë rast kryetari i kësaj shoqate në Çair, Ismet Mustafa, theksoi nevojën për trajtim mjekësor falas të personave me nevoja të posaçme.
“Ne invalidët nuk kemi të drejta. Ne hasim në barrikada të mëdha kur shkojmë të kërkojmë disa gjëra, p.sh. për participimin në spital. Ne me një vendim të qeverisë jemi të liruar, kur shkojmë atje paguajmë, sepse nuk ta japin fletqëndrimin në spital. Unë për vete dhe gruan harxhoj 250 denarë për barna. Thonë se janë liruar, por unë nuk po e vërej. Kategoria e invalidëve, pa marrë parasysh se cilës kategori i takojnë, duhet të jenë të liruar”- deklaroi kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Punës-Çair, Ismet Mustafa.
Mustafa njëherit theksoi nevojën e njohjes së kartelës së invalidit nga institucionet vendore, ndërsa vuri në dukje mbështetjen e Komunës së Çairit. Mbështetje edhe në të ardhmen premtoi zëvendëskryetari i Komunës, Rami Qerimi, i cili ishte i pranishëm në këtë shënim.
“Do të jemi të gatshëm si komunë që edhe në të ardhmen t’ju ndihmojmë për çdo gjë që keni nevojë”- tha Rami Qerimi nga Komuna e Çairit.
Me këtë rast, Shoqata e Invalidëve të Punës u ndau mirënjohje për Shtëpinë e Shëndetit në Bitpazarë të Shkupit “Juendipisë”, TVM2-programit në gjuhën shqipe dhe gazetarit Reshat Kamberi për afirmimin e kërkesave të personave me nevoja të posaçme në media.
“Unë kam bashkëjetuar pak me ju derisa përgatitsha emisionin për televizion dhe kam mund sadopak t’i ndjej sadopak ato veprime që i bëni për të realizuar të drejtat tuaja”- theksoi gazetari në TVM2, Reshat Kamberi.
Dita Botërore e Personave me Aftësi të Kufizuara, 3 Dhjetori, synon ndërgjegjësimin e shoqërisë civile, donatorëve, por edhe të përfituesve për t’u bërë pjesë dhe për t’u përfshirë në procesin e integrimit të personave me aftësi të kufizuara. (Gyltene Sinani, TVM2)
