FSSh dhe Instituti i Mjekësisë Transfuzive, memorandum për shkëmbimin e të dhënave

03.12.2015 14:45

FSSh me Institutin e Mjekësisë Transfuzive kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për shkëmbimin e të dhënave të personave që kanë dhuruar mbi 10 herë gjak dhe ky është kushti që dhuruesit e gjakut të jenë të liruar prej pagesës së participimit gjatë shfrytëzimit të të gjitha shërbimeve shëndetësore...

“Prej sot, të gjitha institucionet shëndetësore do të mund ta shohin në ditar nëse personi i siguruar është dhurues i gjakut dhe nuk do të jetë e nevojshme që i siguruari ta ketë me vete si dëshmi vendimin në formë letre. Ky është proces dinamik dhe secili i siguruar që evidentohet se ka dhuruar gjak më shumë se 10 herë, automatikisht do të futet në ditar. Deri në këtë moment gjithsej 30 mijë të siguruar evidentohen si dhurues të gjakut”- deklaroi drejtori i FSSH-së, Orhan Ramadani.

Vërtetimet elektronike të dhuruesve të gjakut mundësojnë evidentimin dhe kontrollimin  e personave të siguruar që kanë fituar të drejtën e lirimit prej pagesës së pjesëmarrjes.

Ky ditar paraqet bazën e të dhënave që janë të arritshme nga të gjithë punonjësit nëpër institucione shëndetësore që kanë marrëveshje aktive me fondin dhe që kanë qasje në portalin e fondit. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)