Maqedoni

Përleshje e armatosur në Gërçec, dy të vdekur dhe një i plagosur

03.12.2015 16:30

Dy të vdekur dhe një i plagosur ka qenë bilanci i një incidenti të armatosur në Gërçec të Komunës së Sarajit në Shkup...

Nga Sekretariati i Punëve të Brendshme në Shkup bën të ditur se “Mbrëmë rreth orës 23, në fshatin Gërçec është shtënë me armë zjarri në një veturë të llojit ‘Mercedes’ me targa të Shkupit, me të cilën po udhëtonin 3 persona, 2 prej të cilëve kanë humbur jetën, ndërsa njëri ka marrë lëndime serioze dhe është transferuar në Spitalin e Qytetit ‘Naum Ohridski’ në Shkup”.
 
Personi i lënduar është jashtë rrezikut për jetë, bëjnë të ditur mjekët. 
 
“Rreth mesnatës është sjellë një pacient i moshës 32 vjeçare, i plagosur me armë zjarri. Ai ka marrë plagë në këmbë dhe qafë. Pas analizave të bëra, pacienti është dërguar në sallë të operacionit. Pacienti është në mjekim intensiv, por jashtë rrezikut për jetën”- deklaroi një mjek.
 
Për incidentin është njoftuar edhe prokurori publik dhe është kryer ekspertizë në vendin e ngjarjes nga ana e policisë, e cila po ndërmerr masat për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin e ngjarjes, thonë nga SPB-Shkup pa dhënë informacione për emrat e personave në fjalë, por mësohet se njëri nga të vdekurit është 45 vjeçari, Nebush Nuhishi, nga fshati Gërçec.
 
GAZMEND KURTISHI