Maqedoni

Vazhdojnë bisedimet për mediat, VMRO kërkon nga shoqatat të japin propozime

03.12.2015 17:00

VMRO-DPMNE rikthehet në bisedimet e Grupit punues pas braktisjes së takimit dy ditë më parë...

Përfaqësuesi i saj në bisedime, Ilija Dimovski, kërkon të dëgjojë qëndrimin e shoqatave të mediave dhe sektorit civil për ndryshimet në media, pasi që nuk mjaftojnë idetë vetëm të partive dhe të përfaqësuesit ndërkombëtar, Piter Vanhaute.
 
Dimovski nuk precizon se për çka nga propozimi i Vanhautes është i papranueshëm për ata.
 
Ai thotë se nuk do të pranojnë ligj i cili nuk aplikohet në asnjë shtet evropian dhe i cili synon rritje të dënimeve ndaj mediave dhe partizim të organeve shtetërore kompetente për mediat.
 
“Propozimi i LSDM-së për përzgjedhjen e Këshillit të Agjencisë së Mediave është partizim direkt, ndërkaq propozimi i zotit Vanhaute është partizim indirekt. Kjo për ne është e papranueshme. Ne edhe në këtë moment kemi një ligj të mirë, i cili garanton shkallë të departizimit, pasi që ka propozues të autorizuar të cilët vetë vendosin, ndërkaq kuvendi i verifikon vendimet e tyre pavarësisht se a janë ato nga ShGM, Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë, universitete, njësitë e vetëqeverisjes vendore e të tjera”- deklaroi përfaqësuesi i VMRO-DPMNE–së, Ilija Dimovski.    
                                            
Nga LSDM thonë se kërkesa e VMRO-DPMNE për dëgjimin e propozimeve të shoqatave dhe organizatave të gazetarëve është hap i vonuar. Robert Popovski akuzon VMRO-DPMNE-në se po taktizon për mosarritjen e zgjidhjes.                       
 
“Kjo që po ndodhë tani, nga njëra anë mund të kuptohet se VMRO-DPMNE është vetëdijesuar se duhet dëgjuar edhe ata që punojnë në industrinë e medias, ndërkohë që nga ana tjetër e gjithë kjo më duket se është një taktikë e stërzgjatjes që mos të ketë zgjidhje për mediat dhe sa të jetë e mundur më gjatë të mbetet kjo situatë e status-quo-së. Kjo do të thotë kontroll të plotë të partisë në pushtet mbi mediat”- tha përfaqësuesi i LSDM-së, Robert Popovski.
 
LSDM përmban pjesën më të madhe të propozimeve të ndërmjetësit belg. Në të njëjtën vijë janë edhe partitë shqiptare në bisedime.
 
VMRO-DPMNE kërkon që numri i anëtarëve të Agjencisë së Mediave, të cilët do t’i propozojë SHGM dhe Asociacioni I Gazetarëve të Maqedonisë, nga një të rritet në dy.
 
Gjithashtu partia e Gruevskit kërkon që dy anëtarë të Këshillit programor të RTVM-së t’i propozojë Sindikata e të punësuarve të servisit publik. Për këtë është shprehur edhe vetë sindikata e RTVM-së.
 
MERAL ISMAILI