Maqedoni
Vazhdon debati për Raport-progresin e KE-së, pushteti dhe opozita me qëndrime të kundërta
03.12.2015 17:06
Përfaqësuesit e pushtetit dhe opozitës kanë vazhduar me debatin e ashpër midis tyre lidhur me përmbajtjen e Raport-progresit...

Përfaqësuesit e pushtetit dhe opozitës kanë vazhduar me debatin e ashpër midis tyre lidhur me përmbajtjen e Raport-progresit dhe vlerësimet e Komisionit Evropian për Maqedoninë. Raporti vetëm se ka vërtetuar paralajmërimet e opozitës maqedonase gjatë 7-8 viteve të fundit, se vendi ndodhet në një krizë të thellë politike dhe institucionale, tha Sofija Kunovska nga LSDM.
Sipas saj, rekomandimi i kushtëzuar në fakt nuk është rekomandim.
“Ky Raport, i 7-ti me radhë, i cili doli më 10 nëntor të këtij viti, e ka gjetur Maqedoninë në një krizë të thellë politike dhe institucionale që nga ekzistimi i saj 24 vjeçar. Ky raport i ka vërtetuar të gjitha konstatimet e opozitës maqedonase, të cilat i ka paralajmëruar gjatë 7-8 viteve të fundit, dhe ka verifikuar se në Maqedoni mbizotëron regjim totalitar, kriminel dhe regjim korruptues”- deklaroi Sofija Kunovska nga LSDM.
Ftesa e NATO-s për anëtarësimin e Malit të Zi na përkujton të gjithëve se ku ishim dhe ku kemi arritur, tha Kunovska, por Zoran Iliovski nga VMRO-DPMNE theksoi se Maqedonia ka rekomandim dhe, sipas tij, janë institucionet ndërkombëtare që e kanë radhitur Maqedoninë lart në raportet e tyre.
“Fillimisht do të doja ta qartësoj një punë, rekomandim kemi dhe këtë ta kemi të qartë. E vërtetë është se ajo është e kushtëzuar, megjithatë ta kemi të qartë se rekomandim kemi dhe mos i zhvendosni tezat. Ju thoni se kemi ekonomi të plaçkitur dhe se është shterur fuqia financiare e shtetit, megjithatë pikërisht Bashkimi Evropian, Banka Evropiane, Banka Botërore në të gjitha raportet e tyre e kanë ranguar lartë Maqedoninë”- tha Zoran Ilioski nga VMRO-DPMNE.
Të gjitha investimet e huaja që shihen nëpër Maqedoni janë dëshmi për rritjen ekonomike, shtoi Ilioski. Debati vazhdoi me akuza dhe kundërakuza midis përfaqësuesve të pushtetit dhe opozitës lidhur me zhvillimet politike, duke u përqendruar në përmbajtjen e Raport-progresit të BE-së për Maqedoninë.
NAIM RAMADANI
