Maqedoni

Komisioni Anketues aprovoi listën e dëshmitarëve, Gruevski dhe Mijallkov janë dëshmitarët e parë

03.12.2015 17:15

Gjashtë funksionarë të lartë shtetërorë, përfshi edhe kryeministrin, Nikolla Gruevski, janë të ftuarit e parë të Komisionit Anketues për të dëshmuar për skandalin me përgjimet...

Anëtarët e Komisionit nga radhët e VMRO-DPMNE-së kanë ftuar kryeministrin, Nikolla Gruevskin, ministrin për Financa, Zoran Stavrevskin, dhe ish ministren e Brendshme, Gordana Jankullovskën, ndërsa ata të opozitës maqedonase kërkojnë dëshminë e ish shefit të DSK-së, Sasho Mijallkovit, Martin Protugerit-shef i kabinetit të kryeministrit dhe Mile Janakievskin-ish ministër i Transportit dhe Lidhjeve.
 
Pas pranimit të ftesës, gjashtë dëshmitarët do të duhet që deri të hënën ta njoftojnë Komisionin se cilën ditë, në periudhën prej 9 deri më 15 dhjetor, kanë mundësi të dëshmojnë para këtij trupi. Mirëpo, dëshmitarët nuk kanë asnjë obligim ligjor që t’iu përgjigjen ftesës pozitivisht. 
 
“Do ta lëmë ta gjykojë opinioni se cili prej tyre do të paraqitet për të dëshmuar, e cili jo. Nuk kanë asnjë obligim ligjor që të paraqiten për të dëshmuar”- tha kryetari i Komisionit Anketues, Petre Shilegov.
 
Përkundër vendimit që seancat e Komisionit të jenë të hapura, anëtarët e VMRO-së kërkuan që dëshmia e të ftuarve të tyre të jetë e mbyllur, pasi gjykojnë se gjatë paraqitjes së dëshmitarëve mund të përmenden informata të klasifikuara. 
 
“Shpresojmë se me deklarimet e tyre do të japin kontribut në punën dhe kompetencat e Komisionit, gjithashtu dua të them se gjatë kohës së paraqitjes së tyre në seancë, në interes të besueshmërisë së të dhënave, do të kërkojmë që të jetë e mbyllur për opinion”- theksoi anëtari, Antonio Milloshovski.
 
Edhe pse të drejtën për të kërkuar mbylljen e seancës e ka çdo anëtar i Komisionit dhe çdo i ftuar, kërkesa duhet të miratohet me shumicë votash. 
 
Ndërkaq, deputeti i PDSh-së, Ernad Fejzullahu, tha se partia e tij nuk do të propozojë listë me dëshmitarë, pasi nuk u beson institucioneve dhe konsideron se ata që e kanë nxitur krizën nuk mund ta zgjidhin atë. 
 
Përveç aprovimit të listës së dëshmitarëve, Komisioni miratoi edhe planin për punë. Dëgjimi i dëshmitarëve do të bëhet nga 07 dhjetori deri më 22 shkurt.
 
Në periudhën prej 28 dhjetor 2015 deri më 01.01.2016 do të mbahet seancë për përcaktimin e aktiviteteve shtesë. Takim në DSK do të realizohet në periudhën nga 07.12. deri më 22.01. 2016.
 
Në të njëjtën periudhë do të realizohen edhe takime në Agjencinë për Zbulim, MPB, MM, Drejtorinë Doganore, Policinë Financiare, në Prokurori, Prokurorinë Speciale dhe te operatorët.
 
Më 25 janar,Komisioni do të mbajë seancë për përcaktimin e kronologjisë së ngjarjeve dhe rrethanave, ndërsa më 26.01. 2016 seancë për përcaktimin e rekomandimeve, të cilat do të kenë për qëllim të parandalojnë ngjarje të tilla, me ligj. Raporti final do t’i dorëzohet Kuvendit më 29 janar.
 
SHPËTIM NUREDINI