Maqedoni
Personat me aftësi të kufizuara kërkojnë hapjen e më shumë qendrave fizikale në Shkup
03.12.2015 17:32
Në Ditën Botërore të Personave me Aftësi të Kufizuara, prindërit theksojnë nevojën për hapjen e më shumë qendrave fizikale në Shkupit...

Nevoja për një qendër të këtillë ekziston edhe në Komunën e Çairit, theksojnë prindërit, të cilët thonë se e kanë shumë problem gjithmonë të udhëtojnë deri te e vetmja qendër fizikale në lagjen Kozle.
“Në Shkup ekziston vetëm një qendër fizikale dhe ajo është në Kozle. Sa i përket Shkupit 1 milion banorësh, tash në Komunën e Çairit jemi në afro 105 ose 110 fëmijë të regjistruar si persona me nevoja të posaçme, të paregjistruar ne nuk e dimë sa janë, e që të mos shkojmë ne t’i bëjmë ato shpenzime dhe udhëtime, po ta kemi në Komunën e Çairit do të ishte mirë. Unë do të kisha pasur këtë apel deri te të gjithë politikanët, afaristët dhe prindërit që të na mundësohet një qendër fizikale në Komunën e Çairit”- deklaroi prindi i një fëmije me nevoja të posaçme, Elmaz Nuhiu.
Mospranimi i personave me aftësi të kufizuara në shoqëri vazhdon të mbetet edhe më tej problem kryesor.
Kryetarja e Organizatës Joqeveritare “Imago Plus” thotë se personave me nevoja të posaçme u nevojiten trajtime speciale dhe metoda bashkëkohore të edukimit, e jo diskriminim dhe margjinalizim i tyre.
“Ata nuk e kanë këtë përkrahje të shoqërisë ku t’i pranojnë fëmijët me atë mënyrë si janë zhvilluar, duke filluar nga Autizmi, sindroma Daoun, apo disa çrregullime tjera mendore, ku nga ana e popullatës prindërit ndjejnë vështirësi t’i pranojnë këta fëmijë. E dyta, në punët institucionale kemi edhe punën e mësimit inkluziv në arsim që duhet të futet, por problemi tjetër është se ende në Maqedoni nuk ka numër të saktë se sa fëmijë janë me aftësi të kufizuara edhe cilat janë të drejtat e prindërve dhe fëmijëve, d.m.th. nuk ndahet buxheti në mënyrë të barabartë tek të gjitha familjet”- theksoi kryetarja e Shoqatës “Imago Plus”, Zemrie Bela.
Në disa shkolla fillore në Komunën e Çairit disa vite me radhë janë duke u realizuar orë plotësuese për fëmijët me nevoja të posaçme të mbështetura nga Shoqata “Imago Plus” dhe Komunën e Çairit. Numri një i Çairit, Izet Mexhiti, tha se për të arritur rezultate sa më të mira në këtë drejtim nevojitet kyçja dhe ndërgjegjësim i të gjitha institucioneve relevante në këtë proces.
“Edhe këtë ditë, pra kur e shënojmë, është qëllimi që të rritet vetëdija tek gjithë ne dhe për t’i parë mundësitë shtesë si mund t’i përfshijmë të gjithë ata fëmijë që të kenë trajtimin e duhur, sepse është pjesë e përgjegjësisë sonë që të jemi aty afër ku është nevoja më e madhe dhe mendoj që në të ardhmen do të mundohemi të krijojmë mundësi shtesë, përveç objekteve ku funksionon shoqata dhe shkolla, të krijojmë edhe hapësirë shtesë që t’i përfshirë të gjithë këta fëmijë”- tha kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Përndryshe, Komuna e Çairit së bashku me Organizatës Joqeveritare “Imago Plus” për çdo vit shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Njerëzve me Aftësi të Kufizuara, duke organizuar aktivitete të ndryshme dhe prezantime të punimeve nga fëmijët e kësaj kategorie.
REXHEP QAMILI
