Zyrtarizohet kalendari I vitit 2016 në Formula 1
Botërori i Formulës 1 në vitin 2016 do të nisë në datën 20 mars në Melburn...
Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) zyrtarizoi kalendarin e këtij kampionati, duke konfirmuar edhe afrimin e datës së nisjes së tij.
Sezoni i ri i këtij kampionati do të ketë një rekord, pasi në kalendar janë 21 gara, ndërkohë që deri në këtë moment, sipas rregullores, lejohej vetëm zhvillimi i 20 garave çdo vit.
FIA e bëri të ditur kalendarin e ri nëpërmjet një komunikate për shtyp, ku ndër të tjera theksohej se ekziston edhe problemi i Çmimit të Madh të Austin.
Kjo garë është parashikuar të zhvillohet në 23 tetorin e vitit të ardhshëm, por vështirësitë financiare të cirkuitit kanë ngritur jo pak dilema për të.
E reja më interesante për sezonin e ri të Formulës 1 është përfshirja në kalendar e Çmimit të Madh të Azerbajxhanit, që do të zhvillohet në 19 qershor.
Për t'u theksuar është se organizatorët e kësaj gare kanë nënshkruar me drejtuesit e Formulës 1 një kontratë 10-vjeçare.
Gjithashtu, të bie në sy rikthimi në Botëror i garës së Gjermanisë që këtë vit mungoi për shkak të problemeve ekonomike si të pistës së Hokenhajmit, ashtu dhe asaj të Nurburgringut.
Botërori i Formulës 1 i vitit 2016 do të mbyllet me Çmimin e Madh të Abu Dabit, në 27 nëntor.