Maqedoni
Peterle: implementoni në tërësi Marrëveshjen e Përzhinës
03.12.2015 18:06
Dialogu politik duhet të vazhdojë deri në implementimin e tërësishëm të Marrëveshjes së Përzhinës...

Kjo do të jetë një urë për të kaluar në procesin e aderimit të integrimit të IJRM-së në BE, për të cilën është i angazhuar edhe PE-ja.
Kështu deklaroi sot bashkëkryesuesi i komitetit të përzier të PE-së me Kuvendin e Maqedonisë, Alojz Peterle.
“Është shumë me rëndësi që dialogu politik të vazhdojë. Takova disa njerëz që thanë se marrëveshja me vështirësi mund të implementohet në tërësi, por shohim se diçka është implementuar dhe e vlerësojmë. Shpresojmë që gjithçka të jetësohet dhe zgjedhjet do të realizohen”- deklaroi bashkudhëheqësi me Komitetin e përzier parlamentar, Alojz Peterle.
Prioritetet strategjike të vendit më së mirë janë përshkruar në Raportin e progresit, tha euroambasadori, Aivo Orav, i cili kërkoi nga klasa politike vullnet dhe përkushtim politik.
“Nevojitet vëmendje në zbatimin e prioriteteve urgjente. Vullnet politik kundër korrupsionit, vullnet politik që të sigurohet edhe gjyqësor i pavarur. Liria e shprehjes gjithashtu është shqetësuese. Opinioni publik ka nevojë për informata objektive, ndërkaq klasa politike duhet t’i pranojë këto principe dhe t’i promovojë”- tha euroambasadori, Aivo Orav.
Ndërkaq, numri një i eurointegrimeve, Fatmir Besimi, tha se edhe pse ky vit ka qenë i shoqëruar me një politikë të rënduar, qytetarët nuk lëshojnë vendosshmërinë për t’u integruar në BE dhe NATO.
“Në të gjitha anketat për disponimin e qytetarëve rezulton se vazhdojnë bindshëm të përkrahin integrimin në NATO dhe BE, dhe atë diku 70% e popullatës. Zgjatja e integrimit shkakton frustracione dhe kjo është barra jonë që duhet ta menaxhojmë sa më shpejt”- theksoi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Fatmir Besimi.
Këto komente u thanë sot në takimin e Komitetit të përzier parlamentar të PE-së dhe Kuvendit vendor, i cili pason pas atij të realizuar në Strasburg vitin e kaluar.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
