Maqedoni
Jashari: Ministria e Drejtësisë nuk bllokon specialen
03.12.2015 18:25
Ministria e Drejtësisë nuk është ajo që bllokon dhe që i bën obstruksione Prokurorisë Speciale, shprehet ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari...

Ministria e Drejtësisë nuk është ajo që bllokon dhe që i bën obstruksione Prokurorisë Speciale, shprehet ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, në pyetjen se ku është bllokuar puna pasi që javën e kaluar Prokuroria Speciale së bashkë me ministrin e Drejtësisë kanë përgatitur tekst me të cilin parashihet që të punësojë hetues dhe personel ndihmës, por i njëjti ende nuk është në rend dite në qeveri.
“Ligjin për Prokurori Speciale e kanë propozuar deputetë të caktuar, normalisht në bazë të harmonizimit e qëndrimeve të grupeve punuese dhe nga ky këndvështrim Ministria e Drejtësisë nuk ka pasur asnjë obligim e asnjë detyrim për të marrë pjesë në përgatitjen e Ligjit për Prokurori Speciale. Së dyti, është e vërtetë se është përgatitur një ligj për të punësuarit në PS, megjithatë Ministria e Drejtësisë në këtë drejtim edhe në bazë të Kushtetutës nuk mund të jetë propozues, por propozues duhet të jetë Qeveria e Republikës së Maqedonisë. Përsëris, Ministria e Drejtësisë nuk është ajo që bllokon dhe që bën obstruksione, viz-a-vi prokurores speciale”- deklaroi ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.
Ministri Jashari u prononcua edhe për protestën e nëpunësve gjyqësorë.
“Sa i përket grevës, unë si ministër i Drejtësisë disa herë kam takuar Sindikatën dhe kemi analizuar, kemi biseduar për kërkesat e tyre, për problemet e tyre. Kërkesa e tyre është që të ndryshojë Ligji për të punësuarit në gjyqësi, ligj i cili është miratuar në janar të vitit 2014. Ne si ministri kemi analizuar, por për fat të keq ende nuk kemi arritur që të bëjmë harmonizimin e kërkesave të tyre mes Sindikatës dhe Ministrisë së Drejtësisë”- theksoi ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.
Jashari sqaroi se për kërkesat e tyre duhet të kërkojë mendim nga Qeveria, që të ndërmerret qëndrim definitiv.
SANIJE KASAMI
