Maqedoni
Përleshje mes refugjatëve dhe emigrantëve, një maroken humb jetën në territorin grek
03.12.2015 18:36
Një emigrantë 22 vjeçar nga Maroko ka humbur jetën në hekurudhën në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë...

Vdekja e tij ka ardhur pasi ai ka prekur një kabllo elektrike me intensitet të lartë.
Ndryshe, në anën greke të kufirit me Maqedoninë edhe sot janë regjistruar tensione dhe përleshje mes refugjatëve dhe emigrantëve ekonomik, pasi këta të fundit jo vetëm që nuk i kanë lejuar emigrantët nga zonat në konflikt të kalojnë kufirin, por kanë tentuar t’ua marrin edhe lejet për hyrje në Maqedoni.
Policia greke është detyruar të përdor gaz lotsjellës për të kthyer mbrapsht protestuesit nga Pakistani, Maroku dhe Irani.
Më shumë se 3,000 emigrantë janë të bllokuar në një kamp të improvizuar në Idomeni të Greqisë. Disa nga përfaqësuesit e UNHCR-së dhe disa OJQ-ve në mesnatë kanë lënë kampin për arsye sigurie, sepse emigrantët ekonomik, të cilët nuk janë lënë të kalojnë kufirin, kërcënojnë refugjatët të cilëve u lejohet kalimi i kufirit dhe futja në Maqedoni për të vazhduar rrugën drejt vendeve të BE-së.
Rreth 400 deri në 500 emigrantë natën e kaluar kanë brohoritur dhe kanë tentuar të heqin gardhin me tela, ndërsa një grup i emigrantëve që lëvizin në drejtim të gjatësisë së vijës kufitare në lartësi 61 u përpoq të hynte me forcë në Maqedoni.
Sipas autoriteteve greke, në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë sot në mëngjes janë tubuar rreth 6.000 refugjatë dhe emigrantë. Rreth 2.500 prej tyre janë identifikuar si emigrantë të cilët nuk mund ta kalojnë kufirin, pasi që vijnë nga vende si Irani dhe Pakistani.
Autoritetet e Maqedonisë vazhdojnë të lejojnë hyrje vetëm të shtetasve nga vendet në konflikt si Siria, Iraku dhe Afganistani, ndërsa policia është e përgatitur për të parandaluar depërtimin e tensioneve në territorin e Maqedonisë dhe me vëmendje vëzhgon situatën në territorin grek.
REJHANE BUSHI-METAJ
