Botë
Obama: I paqartë motivi për vrasjen e 14 personave në Kaliforni
03.12.2015 21:18
Presidenti amerikan, Barak Obama sot deklaroi se organet e hetuesisë, akoma, nuk e dinë se pse çifti i dyshuar vrau 14 persona dhe plagosën edhe 17 të tjerë në San Bernardino të Kalifornisë...

Obama premtoi se FBI dhe organet gjyqësore deri në fund do ta zbardhin rastin, transmetuan mediet britanike.
"Është e mundur që vrasja të lidhet me terrorizëm. Por, ne këtë nuk e dimë tani për tani. Është e mundur, gjithashtu, të lidhet me probleme në vendin e punës apo motivet mund të jenë të kombinuara", deklaroi presidenti para gazetarëve, pasi u takua në Shtëpinë e Bardhë me këshilltarët e tij të sigurisë nacionale.
"Tani për tani nuk e di se pse ka ndodhur kjo ngjarje e tmerrshme. E dimë se dy sulmuesit, të cilët janë vrarë kanë pasur armë dhe duket se kanë pasur qasje tek armët e tjera në shtëpinë e tyre. Por, nuk e dimë se pse e kanë bërë një gjë të tillë dhe nuk e dimë se cilat kanë qenë motivet", shtoi presidenti Obama.
Në deklaratën e Kabinetit oval të Shtëpisë së Bardhë ai ju bëri thirrje amerikanëve t'i presin faktet dhe më pas të japin konstatime.
"Shumë amerikanë e kanë ndjenjën se nuk mund të bëjnë asgjë kundër dhunës masovike, por të gjithë ne kemi çfarë të bëjmë. Kombi duhet ta parandalojë dhunën", vazhdoi ai.
Obama theksoi se është e domosdoshme të ndërmerren masa efikase që të vështirësohet qasja e disa personave drejt armëve. Është e rëndësishme që të gjithë amerikanët, duke i përfshirë edhe ligjdhënësit, të mendojnë se çfarë mund të bëjnë. Por, ai e pranoi se kanosja nga dhuna nuk mund të hiqet tërësisht.
Presidenti amerikan urdhëroi flamujt të lëshohen në gjysmështizë pas këtij akti makabër në Kaliforni, njoftuan mediet franceze./mia
