Marko Bello: Shqiptarët janë faktorë stabiliteti në rajon

04.12.2015 14:48

Përforcohet bashkëpunimi mes Komunës së Dibrës dhe Universitetit Ndërkombëtar të Strugës. Sot në këtë komunë qëndruan përfaqësues të lartë të këtij universiteti për të diskutuar rreth mundësisë së bashkëpunimit me Komunën e Dibrës...

Vizita e profesorit të së drejtës ndërkombëtare, Marko Bello, u prit me mjaft interes për faktin se ai ka qenë deputet dhe ambasador i Shqipërisë në Rumani dhe është njohës i mirë i situatës në rajon.

Ai i vlerëson shqiptarët si faktorë stabiliteti në Ballkan. Për sa i përket situatës në Kosovë, Bello thotë se garanci për pavarësinë dhe sovranitetin e saj janë ndërkombëtarët. 

“Nga shqiptarët nuk i vjen e keqja rajonit, përkundrazi, ne jemi faktorë stabiliteti. Unë i kuptoj edhe shqetësimet e opozitës në Kosovë edhe pse nuk jam dakord me metodat e tyre, pasi në parlament nuk është mirë të përdoret gaz lotsjellës edhe pse ata duan të zgjojnë opinionin publik. ‘Zaednica’ ka ngjallur një shqetësim dhe në Shqipëri është përcjellë si një element negativ që mund të vërë në pikëpyetje stabilitetin dhe sovranitetin e Kosovës. Por, vizita e Xhon Kerrit dha një siguri se Amerika nuk do të lejonte cenimin e këtij stabiliteti dhe sovraniteti. Mjafton kjo deklaratë publike që të kuptosh se BE dhe ShBA, që kanë kontribuar për stabilitetin e rajonit, nuk do lejojnë të ndodhë copëtimi i Kosovës”- deklaroi profesori universitar, Marko Bello.

Kreu i Dibrës, Ruzhdi Lata, e vlerësoi këtë bashkëpunim si mjaft të frytshëm.

Kjo vizitë ishte në drejtim të shfrytëzimit maksimal të kapaciteteve intelektuale dhe resurseve të këtij universiteti në shërbim të bizneseve dhe institucioneve publike. (Atli Dema, TVM2)