Peterle: Maqedonia të implementojë Marrëveshjen e Përzhinës
Sistemi i së drejtës, reformat në gjyqësor, lufta kundër korrupsionit, liria e mediave, si dhe dialogu mes komuniteteve janë disa ndër kushtet që duhet t’i plotësojë vendi, të cilat njëkohësisht janë edhe kritere që dalin nga Marrëveshja e Përzhinës...

Këto ishin disa nga konkluzat që dolën nga takimet dyditore të Komitetit të përzier parlamentar mes PE-së dhe Kuvendit vendor.
“Dëshiroj që dialogu politik të jetë fer, inkluziv dhe i përmbajtur, si dhe implementimi i marrëveshjes me ndërmjetësimin e kolegëve të mi të implementohet. Dialogu është i nevojshëm dhe këtu strategjia dhe poenta janë të njohura, vetëm se duhet të vihen në procedurë. Kemi bazë dhe optimizëm se dialogu do të vazhdojë dhe implementimi do të realizohet në bazë të marrëveshjes”- deklaroi bashkëkryesuesi me Komitetin e përzier, Alojz Peterle.
Maqedonia ballafaqohet me kriza të brendshme dhe për këtë nevojitet kohezion i brendshëm, tha bashkëkryesuesi me Komitetin e përzier, Peterle. Sa i përket integrimit të vendit në BE, funksionarët e Parlamentit Evropian vlerësuan se ekziston perspektivë për integrim të Maqedonisë në BE, por vendi së pari duhet të garojë me veten me qëllim që t’i plotësojë kushtet dhe t’i realizojë qëllimet për eurointegrim.
Delegacioni i PE-së u ndal edhe tek kriza me emigrantët me të cilën ballafaqohet vendi. Ata thanë se BE do ta ndihmojë Maqedoninë financiarisht, si dhe do të asistojë në menaxhimin e kufirit. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)
