Rruga “Azem Hajdari” në Çarshinë e Vjetër në Shkup

04.12.2015 15:31

Prej sot, një rrugë në Çarshinë e Vjetër në Shkup do të mbajë emrin e pishtarit të demokracisë në Shqipëri, Azem Hajdari...

Në ceremoninë e emërtimit të kësaj rruge morën pjesë përfaqësues të lartë politik shqiptarë nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova, si dhe familjarë të ish deputetit demokrat, Azem Hajdari. Pjesëmarrësit në këtë rast vlerësuan lart kontributin e Azem Hajdarit për rrëzimin e regjimit komunist dhe demokratizimin e Shqipërisë.

“Përmes emërtimit të një rruge të Komunës së Çairit me emrin e pishtarit të demokracisë, Azem Hajdarit, po ndërtojmë kontributin e brezit të ri të politikës shqiptare, i cili duke e përmbysur regjimin e egër komunist, e bëri historinë e vet dhe vetë u bë histori. Azem Hajdari është figura më emblematike dhe unifikuese e përpjekjeve disadekadëshe të gjeneratave të tëra, për një Shqipëri të lirë, të pavarur dhe demokratike”- deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

“Ky aktivitet, në ngjarjen historike dhe të lavdishme shqiptare, sot inaugurojmë jo vetëm rrugën e Azemit, por rrugën e lirisë dhe vlerave të gëzimit më të mirë tek ajo, për të cilën kanë luftuar shqiptarët ndër shekuj”- tha Tiritan Shehu nga PD-Shqipëri.

“Kjo ngjarje ka një simbolikë të veçantë edhe për faktin se dëshmon autoktoninë brez pas brezi të shqiptarëve në këto treva dhe përfitoj nga rasti për këtë të falënderoj kryetarin Mexhiti që me përkushtim përjetësoi historinë shqiptare për brezat e ardhshëm”- theksoi ambasadori i Shqipërisë, Fatos Reka.

Azem Hajdari u vra më 12 shtator të vitit 1998 dhe u shpall hero i demokracisë, ndërsa trupi i tij prehet në varrezat e dëshmorëve në Tiranë. (Gyltene Sinani, TVM2)