Maqedoni
Grupi i 20-të i vullnetarëve të Korpusit të Paqes, 41 vullnetarë fillojnë shërbimin e tyre në vend
04.12.2015 16:07
41 vullnetarë amerikanë të Korpusit të Paqes dhanë betimin dhe zyrtarisht fillojnë shërbimin e tyre në Maqedoni...

Në dy vitet e ardhshme ata do të punojnë nëpër shkolla fillore dhe të mesme, që është pjesë e programit për përmirësimin e mësimit të gjuhës angleze, dhe do t’i ndihmojnë organizatat joqeveritare dhe vetëqeverisjes lokale në kuadër të programit për zhvillimin e komuniteteve.
“Vullnetarët kur vijnë këtu sjellin me vete aftësi specifike nga fusha e arsimit dhe zhvillimit të bashkësive. Megjithatë më e rëndësishme është që ata sjellin dëshirën për të ndërtuar ura miqësie dhe mirëkuptim në mes njerëzve nga Maqedonia dhe njerëzve të ShBA-ve”- deklaroi ambasadori i SHBA-ve në Maqedoni, Xhes Bejli.
“Unë jam shumë e lumtur që Korpusi i Paqes do të festojë 20 vjetorin në Maqedoni. Shtetet e Bashkuara dhe Maqedonia kanë një miqësi të jashtëzakonshme dhe më bëhet qejfi që ky bashkëpunim ekziston”- tha drejtoresha e Korpusit të Paqes në Maqedoni, Kejtlin Kori.
Trajnimi përgatitor i grupit të njëzetë të vullnetarëve zgjati 11 javë. Ata gjatë kësaj periudhe mësuan intensivisht gjuhën dhe kulturën maqedonase dhe shqiptare nëpër shumë qytete të ndryshme, gjithashtu kanë ligjëruar nëpër shkollat lokale dhe e kanë ndihmuar sektorin civil, duke zbatuar projekte të vogla për zhvillimin e komuniteteve.
“Ne nuk do të ishim këtu pa përkrahjen e stafit të Korpusit të Paqes, instruktorët e gjuhës që arritën të na mundësojnë të flasim pas 11 javësh, edhe pse nuk dinim asnjë fjalë në fillim. Grupi i 20-të i Korpusit të Paqes në Maqedoni me padurim pret të vazhdojnë ta ndërtojnë miqësinë mes Shteteve të Bashkuara dhe Maqedonisë”- theksoi vullnetarja e re, Maria Psara.
Korpusi i Paqes është themeluar në vitin 1961 nga presidenti, Xhon Kenedi, dhe i njëjti ka për qëllim t’i ndihmojë vendet që kanë nevojë për personel të kualifikuar dhe me përvojë, dhe të promovojë kulturën dhe vlerat amerikane tek vendet në të cilat vullnetarët shërbejnë.
REXHEP QAMILI
