Maqedoni

Hamaçek: përgjegjës për të ardhmen e vendit jeni ju!

04.12.2015 16:17

Kryetari i Parlamentit të Republikës së Çekisë, Jan Hamaçek, vlerëson se pa zgjidhjen e problemeve politike dhe etnike...

Kryetari i Parlamentit të Republikës së Çekisë, Jan Hamaçek, vlerëson se pa zgjidhjen e problemeve politike dhe etnike dhe pa tejkalimin e kontestit dypalësh me Greqinë, Maqedonia e ka të pamundur të hapërojë në procesin eurointegrues.
 
“Maqedonia është vendi juaj dhe ju mbani përgjegjësi për të”- theksoi Hamaçek para deputetëve në Kuvendin republikan.
 
Pavarësisht përpjekjeve të Çekisë për të ndihmuar anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, vendimi për zgjerim merret me konsensus të plotë, rikujtoi Hamaçek.     
 
“Ne bisedojmë me partnerët tanë në NATO dhe i bindim se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO ka kuptim. Megjithatë, bëhet fjalë për vendim politik. Për zgjerimin e NATO-s duhet të pajtohen të gjitha vendet anëtare. U sqarojmë se ashtu siç u pranua së fundi një vend relativisht i vogël, po ashtu ka logjikë që të pranohet edhe Maqedonia. Nëse pyesni se si i ndihmojmë Maqedonisë, mund t’ju them se luftojmë për Maqedoninë në kuadër të Aleancës”- deklaroi kryetari i Kuvendit të R. së Çekisë, Jan Hamaçek.
 
Maqedonia çmon bashkëpunimin dypalësh me Çekinë, posaçërisht mbështetjen pa rezervë për anëtarësimin e vendit në NATO, theksoi kryeparlamentari, Trajko Veljanovski, duke akuzuar Greqinë si fajtore kryesore për ngecjen e këtij procesi.      
 
“Dua të theksoj politikën parimore për mbështetje pa rezervë, të cilën po e udhëheq Republika çeke kur bëhet fjalë për anëtarësimin tonë në NATO dhe BE. Theksova se sa i përket integrimit euroatlantik të RM-së kemi konsensus të plotë politik dhe, përkundër vetos absurde të fqinjit tonë jugor, që është në kundërshtim me të gjitha dokumentet ndërkombëtare, mes të cilëve edhe vendimi i Tribunalit të Hagës, megjithatë përqindja e qytetarëve që mbështesin këtë përcaktim strategjik është e lartë”- tha kryetari i Kuvendit të RM-së, Trajko Veljanovski.
 
Veç marrëdhënieve dypalëshe dhe procesit eurointegrues, kriza me refugjatët ka qenë një çështje tjetër me rëndësi që u diskutua mes dy kryeparlamentarëve.
 
Veljanovski edhe një herë kërkoi ndihmë nga Bashkimi Evropian për t’u përballë me këtë sfidë, pasi, siç theksoi, refugjatët depërtojnë në Maqedoni nga një vend anëtar i BE-së.
 
Në këtë drejtim Hamaçek tha se BE po përballet me këtë sfidë si një tërësi, por edhe vendet duhet të japin kontributin e tyre veç e veç.
 
Ai premtoi se Çekia në mënyrë simbolike do ta ndihmojë Maqedoninë që të përballet me këtë dukuri. 
 
SHPËTIM NUREDINI