Maqedoni
Asociacioni “Most” realizon projektin “Ndotja e ajrit në Komunën e Kërçovës”, në takim nuk merr pjesë asnjë shqiptar
04.12.2015 17:11
Në organizim të Asociacionit qytetar “Most”, sot ne Kërçovë u mbajt takimi në kuadër të projektit “Parlamenti mobil”...

Në organizim të Asociacionit qytetar “Most”, sot ne Kërçovë u mbajt takimi në kuadër të projektit “Parlamenti mobil”, ku u diskutua ndotja e ajrit në Komunën e Kërçovës, por në këtë debat me karakter sensitiv nuk mori pjesë asnjë shqiptarë.
Tema qendrore e këtij takimi, që financohet nga BE dhe që organizohet nga Asociacioni “Most”, ishte “Ndotja e ajrit në Komunën e Kërçovës”, por theksi u vendos në ndotjen që e shkakton termocentrali i Osllomesë, me tymrat dhe gazrat që i lëshon gjatë veprimtarisë së tij në vendbanimet ku jeton përgjithësisht popullata shqiptare.
Koordinatorja e këtij projekti potencoi se organizimi i këtij debati është shumë i rëndësishëm, sepse ndotja që shkaktohet nga mungesa e deponisë sanitare dhe termocentrali i Osllomesë ngulfasin frymëmarrjen e banorëve vendorë.
Ky gjigant termoenergjetik, tha ajo, llogaritet si njëri nga faktorët që e ka radhitur Kërçovën në listën e qyteteve më të ndotura në vend. Prandaj edhe qëllimi i këtij organizimi, nënvizoi ajo, është ulja e shkallës së ndotjes së ambientit jetësor.
Por, fatkeqësisht ky debat u zhvillua pa shqiptarët. Në diskutimet rreth kësaj teme nuk kishte asnjë përfaqësues shqiptar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, as nga OJQ-të që përfaqësojnë shqiptarët, e as nga termocentrali i Osllomesë ose Këshilli i Komunës së Kërçovës.
Ndonëse kanë qenë të ftuar, në këtë debat munguan edhe deputetët e zonës.
Organizatori kishte siguruar edhe përkthyes në gjuhën shqipe, por fatkeqësisht ai nuk kishte se kujt t’ia përkthente diskutimet që u zhvilluan mbi këtë temë kaq sensitive, që prek më së shumti popullatën shqiptare që jeton në afërsi të termoelektranës së Osllomesë.
SHABAN DALIPI
