Maqedoni
Bisedimet në Grupin punues, s’ka përparim, KE mbron propozimin e Vanhautes
04.12.2015 17:42
Takimi i sotëm i Grupit punues përmbyllet pa marrëveshje konkrete...

Reformat në servisin publik ishin temë e diskutimit të sotëm. Jozyrtarisht thuhet se ndasitë janë të mëdha midis palëve në bisedime sa i përket propozimit të ndërmjetësit, Piter Vanhaute. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç, ka dalë në mbrojtje të propozimit të ndërmjetësit belg.
Kocijançiç ka thënë se nuk dëshiron të spekulojë për detajet e bisedimeve dhe se Komisioni Evropian po punon bashkë me liderët politik që të realizohet marrëveshja politike.
“Konsiderojmë se zbatimi është krucial dhe për këtë arsye kemi dorëzuar disa instrumente që të mbështesim zbatimin. Puna vazhdon, afatet janë të shkurtra dhe të qarta. Puna do të duhet të vazhdojë, e njëjta vlen edhe për prioritetet në reforma të cilat do të duhet të zbatohen për të mirën e shtetit”- deklaroi zëdhënësja e KE-së, Maja Kocijançiç.
Bisedimet pritet të vazhdojnë të hënën me intensifikim të debatit për Agjencinë e Mediave dhe RTVM-në.
Ndërkohë, që gjatë fundjavës partitë do të konsultohen për propozimin e ndërmjetësit. VMRO-DPMNE ditë më parë ka kërkuar që shoqatat e mediave të japin propozimet e tyre për reformat në media.
Nga ShGM thonë se propozimet u janë dorëzuar disa herë palëve në bisedime, ndërkaq të njëjtat janë publikuar edhe në ueb faqen e shoqatës.
ShGM shprehet e kënaqur me propozimet që ka dhënë ndërmjetësi Vanhaute dhe nuk ka nevojë për propozime të reja, pasi që ato janë të ngjashme me propozimet e tyre.
Thirrja e VMRO-DPMNE–së për propozime të reja paraqet taktikë për t’i bërë obstruksion propozimeve të Vanhautes, janë shprehur nga ShGM.
Nga partia e Gruevskit thonë se nuk do të pranojnë ligj i cili do të censuronte dhe dënonte me gjoba të larta mediat.
Për LSDM-në është i mirëseardhur çdo ligj i cili depolitizon institucionet e autorizuara për mediat. Edhe partitë shqiptare mbështesin zgjidhje të ngjashme, që do të nënkuptonte pavarësi të mediave.
MERAL ISMAILI
