Maqedoni
Kriza me refugjatët, policë nga rajoni do të ndihmojnë vendin
04.12.2015 17:44
Një numër i caktuar i forcave policore nga Sllovenia, Kroacia, Serbia, Hungaria dhe vende të tjera që nga java e ardhshme do të vendosen në kufirin jugor me Greqinë..

Një numër i caktuar i forcave policore nga Sllovenia, Kroacia, Serbia, Hungaria dhe vende të tjera që nga java e ardhshme do të vendosen në kufirin jugor me Greqinë, ndërsa do të kenë për qëllim që së bashku me forcat e sigurisë të vendit të ballafaqohen me turmën e refugjatëve që po kalon nëpër këtë zonë.
Këtë e paralajmëroi kryeministri, Nikolla Gruevski, i cili tha se gjatë 10 ditëve të kaluara ka kërkuar një gjë të tillë nga homologët e tij dhe ka marrë përgjigje pozitive.
“Kohë të gjatë i kemi apeluar Brukselit si dhe disa kryeqendrave të tjera që të gjendet një mënyrë që së bashku me palën greke të kërkohet dërgimi i forcave të cilat do të na ndihmonin ne dhe policëve tanë që të përballojnë situatën. Gjatë 10 ditëve të fundit kam biseduar me shumë homologë të mi të cilët vijnë nga shtetet, të cilat janë potencialisht të rrezikuara nga ana e emigrantëve ekonomikë, që edhe ata të dërgojnë forca policore, me qëllim që t’iu bashkëngjiten forcave tona policore nga ana jonë e kufirit dhe së bashku të ballafaqohemi me sfidat. Në këtë drejtim arritën edhe përgjigjet e para pozitive nga më tepër shtete të rajonit dhe pres që gjatë javëve në vazhdim të fillojnë të vijnë edhe radhët e para të këtyre forcave policore”- deklaroi kryeministri, Nikolla Gruevski.
Kryeministri Gruevski gjithashtu ka përshëndetur edhe shpërndarjen e forcave Frontex në territorin grek dhe pret që të kontribuojnë në kontrollin e situatës.
Sa u përket mjeteve financiare të premtuara si ndihmë për Maqedoninë, kryeministri Gruevski theksoi se deri më tani nuk ka arritur ndonjë ndihmë financiare nga Brukseli.
Ai shtoi se deri më tani nga buxheti shtetëror për shkak të krizës me refugjatë janë shpenzuar rreth 10 milionë euro.
Ndihma e vetme që ka arritur për krizën e refugjateve kap vlerën prej 90 mijë euro dedikuar organizatave humanitare, tha ai.
NAIM RAMADANI
