Maqedoni

Banorët e Rashçes dhe NP “Ujësjllësi” arrijnë marrëveshje rreth faturave të larta

04.12.2015 18:11

Pas mosmarrëveshjeve që kanë pasur banorët e fshatit Rashçe me Ndërmarrjen Publike “Ujësjellësi dhe kanalizimet” rreth faturave të ujit...

Pas mosmarrëveshjeve që kanë pasur banorët e fshatit Rashçe me Ndërmarrjen Publike “Ujësjellësi dhe kanalizimet” rreth faturave të ujit, të cilat iu vinin në shumë të madhe, banorët e Rashçës realizuan takim me drejtorin gjeneral të ujësjellësit, ku u dakorduan lidhur me kërkesat e banorëve të Rashçes.
 
Kërkesat e tyre ishin që të montohen orët matëse dhe të shlyen borxhet e vjetra. 
 
“Sot arritëm që ata të pajtohen me kërkesat tona dhe erdhëm në përfundim se të gjitha ato fletëpagesat ose dënimet që janë nëpër noterë dhe përmbarues, do t’i tërheqin prapë, do të shlyen borxhet e vjetra dhe do të fillohet me pagesë me ujin e tanishëm që do ta harxhojë popullata”- deklaroi një banor i fshatit Rashçe.
 
“U mblodhëm me rastin se dje u paraqit drejtori i ujësjellësit me kërcënime se ai do të bëjë si do vetë, ne për atë u mblodhëm dhe i qetësuam punët. Megjithëse ai u pajtua se dje ka folur dhe ka bërë gabim, edhe ashtu i rregulluam gjërat dhe mendoj se nuk do të ketë më probleme”- tha një banor i fshatit Rashçe.
 
Banorët e Rashçes shprehen se po ashtu kanë problem edhe me furnizimin me ujë, ndërsa ky problem ekziston për shumë vite.
 
“Ky është problem i kamotshëm, prej vitin 1974 e kemi këtë problem në Rashçe. Një fshat nikoqir që furnizon me ujë qytetin e Shkupit bashkë me rrethinë, ne ende e kemi të pazgjidhur këtë problem, duhet të na vihet në shërbim edhe ndërmarrja e ujësjellësit. Sot kishim një takim me drejtorin e ujësjellësit, mendoj se brenda disa minutave kemi arritur deri diku”- theksoi një banor i fshatit Rashçe.
 
Banorët e Rashçes, ditën e enjte sërish do të realizojnë takim me drejtorin e “Ujësjellësit dhe kanalizimeve”, ku parashihet që të detektohen të gjitha problemet lidhur me furnizimin dhe faturat e ujit në këtë fshat.
 
ERSAN PAJAZITI