Stoltenberg: NATO s’do të dërgojë këmbësori në Siri
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se NATO-ja e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave tokësorë në luftën kundër militantëve të “Shtetit Islamik” në Siri...

Në një intervistë të publikuar në gazetën zvicerane, Stoltenberg ka thënë se këmbësoria e NATO-s për të shoqëruar koalicionin ndërkombëtar, që kryen sulme ajrore në Siri, “nuk është në agjendë”.
“Shtetet e Bashkuara kanë një numër të kufizuar të forcave speciale, por forcimi i forcave lokale është opsioni i vetëm”- ka thënë Stoltenberg.
Ai po ashtu ka thënë se NATO do të ndihmojë në përmirësimin e mbrojtjes ajrore të Turqisë.
Më 24 nëntor, forcat turke kanë rrëzuar një avion ushtarak rus, duke thënë se ai ka shkelur hapësirën e tyre ajrore. Rusia është duke kryer sulme ajrore në Siri kundër militantëve të “Shtetit Islamik”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se strategjia e tij për të luftuar “Shtetin Islamik” nuk përfshin trupa tokësorë në Siri dhe Irak. Por, Pentagoni ka njoftuar për vendosjen e njësiteve të vogla të forcave speciale atje.
