Siri, vriten 32 militantë të ISIS-it, aktivistët: Rusia po qëllon edhe caqe civile
Të paktën 32 militantë të “Shtetit Islamik” janë vrarë dhe mbi 40 të tjerë kanë mbetur të plagosur pas sulmeve ajrore në Raqa të Sirisë...

Por, grupet e aktivistëve për të drejtat e njeriut alarmojnë se nga sulmet ruse, në zonën ku kanë mbetur të vrarë militantët e ISIS, kanë mbetur të vrarë edhe disa civilë. Ende nuk dihet numri i civilëve të vrarë, por nuk është hera e parë që aktivistët alarmojnë se avionët rusë godasin edhe caqe civile në sulmet e tyre kundër “Shtetit Islamik”.
Qeveria në Damask ndërkohë akuzon koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara se gjatë sulmeve kundër militantëve të ISIS-it ka vrarë edhe tre ushtarë sirianë. Qeveria siriane thotë se avionët qëlluan raketa në një kamp në provincën Deir al Zour, që në masë kontrollohet nga grupi xhihadist “Shteti Islamik”, duke vrarë 3 ushtarë sirianë dhe plagosur 13 të tjerë.
Ministria e Jashtme siriane e dënoi sulmin duke e cilësuar një “akt flagrant agresioni”. Sipas dikasterit diplomatik sirian, 3 autoblinda, 4 automjete ushtarake dhe arsenale armësh e municionesh mbetën të shkatërruara. Por, një zëdhënës i koalicionit ka mohuar që forcat ajrore të tij të kenë kryer sulme në zonën e sipërpërmendur. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
