Botë
Afganistani po vuan “ikjen e trurit”, 160 mijë njerëz janë larguar drejt Evropës
07.12.2015 15:04
Që nga viti 2014, kur forcat e NATO-s dorëzuan qeverisjen tek autoritetet vendore, ekonomia e Afganistanit po përjeton momentet më të vështira në histori...

Që nga viti 2014, kur forcat e NATO-s dorëzuan qeverisjen tek autoritetet vendore, ekonomia e Afganistanit po përjeton momentet më të vështira në histori, pasi vendi ka humbur tashmë ndihmat financiare prej miliona dollarësh që merrte fillimisht për rindërtim.
Vala e madhe e refugjatëve afganë që i drejtohen Evropës është pasojë e ekonomisë së varfër. Mijëra njerëz largohen për shkak të pamundësisë të gjejnë punë. Kjo ka bërë që radhët para zyrave për dhënien e pasaportave të jenë çdo ditë e më të gjata. Por, ky largim do të ketë efekte afatgjata negative në ekonomi.
“Kam vendosur të largohem me çdo kusht, sepse largimi është më mirë se qëndrimi këtu. Qeveria nuk po bën asgjë për popullin. Nëse do kishim punë, nuk do largoheshim”- deklaroi banori i Kabulit, Abdul Qafar Safi.
“Dy arsyet e qëndrimit janë siguria dhe vendi i punës. Ne nuk e kemi asnjërën. Nëse do të mbijetosh, duhet të marrësh parasysh rrezikun. Më mirë të rrezikoj të shkoj në ndonjë vend tjetër, sesa të rri në Afganistan. Qëndrimi këtu është rrezik më i madh”- tha inxhinieri i diplomuar, Mohamad Reza Nori.
Vendi ka vështirësi të marrë veten nga lufta edhe pas 15 vitesh.
Zëvendësministri i punës, Ahmad Shah Salehi, kërkon që populli të ketë durim.
“Afganistani ka nevojë për të rinjtë që të rrinë këtu e t’i shërbejnë vendit të tyre. Largimi nga vendi nuk është zgjidhje. Ne kemi kaluar shumë sfida në të kaluarën, por bashkërisht duhet të sigurojmë të ardhmen”- deklaroi zëvendësministri i punës, Ahmad Shah Salehi.
Por, një fjalim i tillë nuk i prek afganët e rinj. Programet e studimit dhe punësimit nuk po japin rezultat. Papunësia është rritur në 40%.
160 mijë njerëz janë larguar vetëm sivjet drejt Evropës. I vetmi përfitim nga ky “largim truri”, thonë ekonomistët, do të jenë remitencat që refugjatët do të sjellin në vendin e tyre. Vetëm kjo mund të stabilizojë ekonominë e vendit.
GAZMEND REXHEPI
