Maqedoni

Bashkëpunim ndërkufitar Maqedoni – Greqi, Shabani: Do të financohen projekte në 4 rajone

07.12.2015 15:33

Ministria e Vetëqeverisjes Lokale ka shpallur thirrje publike për projekt-propozime nga Intereg IPA, program ndërkufitar për bashkëpunim ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë për periudhën 2014–2020...

Sipas ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, Lirim Shabanit, me këtë program parashihet të financohen projekte në vlerë prej mbi 45 milion euro, të cilat do të implementohen në 5 rajone të Greqisë dhe në 4 rajone të Maqedonisë.
 
“Qëllimi kryesor i programit është përmirësimi i kohezionit territorial, duke përmirësuar standardet e jetës dhe krijimin e vendeve të reja të punës, mirëmbajtja e mjedisit jetësor dhe përdorimi i drejtë i burimeve natyrore në zhvillimin e turizmit”- deklaroi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Lirim Shabani.
 
Ai u bëri thirrje të gjitha palëve të interesuara që të aplikojnë me projekt-aktivitete të përbashkëta në arritjen e rezultateve të përbashkëta.
 
Sipas tij, projektet me të cilat do të aplikohet do të nxisin frymën e bashkëpunimit ndërkufitar në veçanti dhe do t’i përforcojnë edhe më tepër aktivitetet e bashkëpunimit evropian.  
 
BESIM ABDULLAI