Maqedoni

Sindikata e pavarur e Policisë: Marrëveshja kolektive është kundërkushtetuese

07.12.2015 16:05

Sindikata e pavarur e Policisë ka kërkuar anulimin urgjent të marrëveshjes kolektive për punë, e cila sipas tyre është kundërkushtetuese...

Në përputhje me rregulloren e MPB-së, të miratuar në gusht të këtij viti, stacionet policore kufitare në Tanushë, Mazdraçë dhe Strezimir janë shpallur si objekte të ndara dhe policisë kufitare pas 4 ditëve pune pa ndërprerë i takojnë 4 ditë të lira, edhe atë me urdhër gojor, që sipas Sindikatës është në kundërshtim me Ligjin për marrëdhënie pune, marrëveshjen kolektive dhe aktet nënligjore të MPB-së.
 
Nga Sindikata sqarojnë se nëpunësit policorë punojnë më shumë se 300 orë, ndërsa ju evidentohen vetëm gjysma e orëve. 
 
“Numri i orëve i nëpunësve është më shumë se 300, ndërsa u evidentohen vetëm gjysma e atyre orëve. Gjegjësisht, ata janë të pranishëm në punë 300 orë dhe janë të detyruar të qëndrojnë në objekte tërë kohën, ndërsa nga ana tjetër u evidentohet vetëm gjysma e këtyre orëve”- deklaroi kryetari i Sindikatës së pavarur të Policisë, Goce Delçev-Todev.
 
Sipas kryetarit të Sindikatës së pavarur të Policisë kjo paraqet bazë për padi të ardhshme kundër MPB-së. Ata kërkojnë anulimin e marrëveshjes kolektive ekzistuese të miratuar në gusht të këtij viti nga ana e ish ministres së MPB-së, Gordana Jankullovska, dhe kryetari i Sindikatës policore të Maqedonisë, Tihomir Klimovski.
 
Paraprakisht, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, realizoi takim me përfaqësuesit e Sindikatës së pavarur Policore, në të cilin është biseduar për problemet me të cilat ballafaqohen dhe u morën vesh të gjendet mënyrë për zgjidhjen e tyre.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI