Ekonomi

Delegacion qeveritar viziton Ministrinë e Ekonomisë, Neziri: projekte kapitale gjatë vitit 2016

07.12.2015 17:00

Një delegacion qeveritar i kryesuar nga zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi, zëvendësministri i Transporteve, Nimetulla Halimi...

Një delegacion qeveritar i kryesuar nga zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi, zëvendësministri i Transporteve, Nimetulla Halimi, dhe deputetët, Artan Grubi dhe Vjollca Nuredini, zhvilloi një vizitë pune në Ministrinë e Ekonomisë, me ç’rast u njoftuan me mbarëvajtjen e projekteve kapitale që janë realizuar në këtë ministri dhe ato që janë në realizim e sipër.
 
Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, ka theksuar projektet kapitale që duhet të realizohen gjatë vitit 2016 në sektorin e gazifikimit, projekt i cili duhet të përfundojë në vitin 2020.
 
“Gazifikimi  Shkup-Tetovë-Gostivar, i cili planifikohet të bëhet në vitin 2016-2018, mjetet të cilat janë diku rreth 48 milion e 840 mijë euro janë mjete të cilat janë të siguruara nga Doiche Banka dhe Ers Banka. Dhe planifikojmë vitin 2016-2018 kjo tregtoni të ndërtohet dhe përfundimisht të përfundon në vitin 2020 dhe presim që benefitet të jenë të mëdha në aspektin ekonomik edhe në aspektin ekologjik”- deklaroi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
 
Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, theksoi se një sektor mjaft i rëndësishëm është ndërtimi i hidrocentraleve të vogla, që gjatë vitit 2014-2015 janë ndërtuar në vendbanimet shqiptare, si dhe një projekt tjetër i rëndësishëm është edhe ndërtimi i largpërçuesit 400 kilovolt mes Manastirit dhe Elbasanit.
 
“Ajo që është me rëndësi që po flitet disa vite me rrallë është largpërçuesi 400 kilovolt mes Manastirit dhe Elbasanit, largpërçues i cili do të mundësojë të mbindërtojmë kapacitetet e këtij largpërçuesi, i cili momentalisht është ekzistencial. Të enjten do nënshkruhet kredia, e cila është e sigurua prej 49 milion euro nga Banka Evropiane dhe MEPSO”- tha ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
 
Zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi, ka theksuar se projektet të cilat janë realizuar dhe planifikohen të realizohen do të ndikohen drejtpërdrejt në standardin e qytetarëve. 
 
“Këto investime dhe këto projekte përkatëse janë gjithëpërfshirëse në rajonin e Maqedonisë, që nënkupton një zhvillim më të balancuar, që është edhe një nga synimet që të kemi edhe një rritje në ekonomi, që do ta ndjejnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë, si dhe shqiptarët e pjesës perëndimore”- theksoi zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi.
 
Ministri, Bekim Neziri, gjithashtu theksoi se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat në këtë ministri nga gjithsej 145 punonjës, 62 ose 48% janë shqiptarë. 
 
REJHANE BUSHI-METAJ