Maqedoni

Grupi punues debaton për KShZ-në, partitë s’dakordohen për ekspertët

07.12.2015 17:40

Në vend të përmbylljes së debatit për reformat në media, Grupi punues vazhdoi bisedimet për kompletimin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve...

Edhe përkundër trysnisë të faktorit ndërkombëtar, palët nuk arritën të dakordohen mbi përzgjedhjen e tre ekspertëve që do të përbëjnë KShZ-në nga gjithsej 9 anëtarë.
 
Për tre vendet e ekspertëve të përbërjes së re të KShZ-së, në konkursin e kuvendit janë lajmëruar afër 40 emra.
 
Në mesin e tyre edhe kolumnisti, Sotir Kostov, profesori, Stefan Buxhakovski, Kostadin Babunski, Rexhep Jakupi, redaktori i gazetës “Vest”, Goran Tërpenoski, Zoran Stojanovski, Faton Bejta, Bojana Naumovska, Beqir Iseni e të tjerë.
 
Siç mësohet, ekspertët e kandiduar nuk janë të pranueshëm për të gjitha partitë në bisedime. 
 
Ndërkohë që gjashtë pjesëtarët tjerë të KShZ-së përzgjidhen me propozim të partive politike, tre të pushtetit dhe tre nga opozita.
 
Emrat e tyre veç më janë vërtetuar nga Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime. Kandidat i BDI-së është Subhi Jakupi, i PDSH-së, Bedredin Ibrahimi.
 
Në listën e VMRO–DPMNE-së janë deputetja, Sillvana Boneva, dhe anëtari aktual i KSHZ-së, Sasho Sërcev. LSDM propozon Violeta Dumën dhe Igor Milevin. 
 
Sipas marrëveshjes politike, KSHZ-së i shtohen kompetencat, duke i dhënë të drejtën e ngritjes së kallëzimeve penale.
 
Votuesit të cilit i është shkelur e drejta e votimit mund të ankohet në KShZ brenda 24 orëve. KShZ është e autorizuar ta thotë fjalën e fundit për çdo mosmarrëveshje midis ministrave dhe zëvendësave të tyre që kanë të bëjnë me zgjedhjet.
 
MERAL ISMAILI