Maqedoni

Kuvend, deputetët e lexojnë ndryshe Raport-progresin

07.12.2015 17:44

Përmbajtja e Raport-progresit ka vazhduar të përplasë deputetët në kuvend për disa ditë me radhë...

Përfaqësuesit e pushtetit dhe opozitës këmbëngulin në qëndrimet e tyre diametralisht të kundërta lidhur me konstatimin nëse raporti është pozitiv apo negativ. 
 
“Është gabim në rast se e prezantojmë si tërësisht pozitiv, sepse nuk është tërësisht pozitiv. Por, gabim është në rast se e prezantojmë edhe tërësisht negativ, sepse nuk është as i tillë. Nuk duhet të iket nga e vërteta. Raporti është kushtëzuar për dy arsye, e para për shkak të një anëtare të BE-së dhe e dyta është kushtëzuar për shkak të politikës së gabuar të opozitës”- deklaroi Liljana Zaturovska nga VMRO-DPMNE.
 
“Në vend që të thoni ejani të flasim për kriteret politike, që të përmirësojmë diçka rreth tyre, ju thoni se opozita ka qenë vasale ndaj të huajve. Unë pajtohem se Greqia është fajtore rreth emrit, ja unë publikisht e them, por ju lutem Greqia nuk është fajtore për kriteret politike”- tha Goran Sugarevski nga LSDM.
 
Ndërkaq, Rafiz Aliti nga BDI tha se raporti duhet lexuar drejt. Sipas tij, për përmbajtjen e raportit përgjegjësi kanë të gjithë.
 
“Të ngrihemi apo të dalim prej petkut partiak, vërtetë raportin ta shohim si një udhërrëfyes për dalje nga kriza. Fatkeqësisht këtu në kuvend mundohemi t’i hedhim faj njëherë pozitës, njëherë opozitës. Unë do të them se të gjithë mbajmë përgjegjësi dhe kemi faj pse kemi marrë këtë raport kështu siç e kemi para nesh”- tha Rafiz Aliti nga BDI.
 
Deputetët kanë vazhduar debatin me akuza dhe kundërakuza lidhur me përmbajtjen e raportit, ndërsa ai paraprakisht është debatuar edhe në Këshillin për Eurointegrime dhe Komisionin për Çështje Evropiane.
 
NAIM RAMADANI