Maqedoni
Samiti i Klimës në Paris, Izairi: Maqedonia e gatshme të japë kontribut
07.12.2015 17:49
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nurhan Izairi, sot dhe nesër në Paris, në kuadër të Samitit të Klimës...

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nurhan Izairi, sot dhe nesër në Paris, në kuadër të Samitit të Klimës merr pjesë në pjesën ministrore të Konferencës së palëve të Konventës kornizë të Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike.
Ministri Izairi në Paris e riafirmoi gatishmërinë politike të Maqedonisë për pjesëmarrje në përpjekjet globale për zvogëlimin e ndryshimeve klimatike. Maqedonia e ka hartuar dhe ia ka dorëzuar Konventës dokumentin: “Kontributet nacionale drejt ndryshimeve klimatike”, si shteti i 23-të në botë.
Qëndrimi i Ministrisë në rolin e koordinatorit nacional për ndryshimet klimatike, si dhe i Qeverisë së Maqedonisë është që nga procesi negociator në Paris të dalë, një marrëveshje globale e Konferencës së Palëve, sipas së cilës të gjitha Palët do të japin kontributin e tyre në mënyrë korrekte dhe të barabartë, në përputhje me mundësitë dhe specifikat e çdo shteti.
Kontributi ynë nacional parasheh të zvogëlohet çlirimi i dioksid karbonit nga djegia e lëndëve djegëse fosile për 30%, gjegjësisht për 36% gjatë nivelit më të lartë të ambicies, deri në vitin 2030 në raport me skenarin referent.
Çlirimi i dioksid karbonit nga djegia e lëndëve djegëse fosile mbulon thuajse 80% nga çlirimi i përgjithshëm i gazeve serrë me pjesëmarrje dominante të sektorëve, furnizim me energji, ndërtesa dhe transport.
Në kuadër të këtij segmenti, nga Samiti botëror pritet përkufizimi i versionit përfundimtar të dokumentit me të cilin do të përcaktoheshin detyrimet e shteteve pas vitit 2020 lidhur me zvogëlimin e çlirimit të dioksid karbonit.
Në kuadër të pjesëmarrjes në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike, ministri Izairi do të zhvillojë edhe një sërë takimesh dypalëshe, si dhe do të vizitojë ngjarje plotësuese për qëndrueshmërinë urbane.
GYLTENE SINANI
