Mjegulla, fatale për dy kosovarë
Dy persona kanë humbur jetën në tri ditët e fundit në aksidente trafiku, për çka besohet që një nga shkaqet të jenë edhe ndryshimet klimatike dhe mjegulla e dendur...

Policia e Kosovës ka raportuar, po ashtu, se në 72 orët e fundit, në tërë territorin e Kosovës, janë shkaktuar gjithsej 122 aksidente trafiku, ndër të cilat dy raste kanë përfunduar me fatalitet.
Një person ka humbur jetën në komunën e Kamenicës, si pasojë e goditjes nga vetura, derisa i njëjti ishte duke punuar në futjen e kabllove përgjatë rrugës.
Baki Kelani, zëdhënës në Policinë e Kosovës, ka thënë për gazetën “Zëri”, se Policia e Kosovës me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë në vend, tani gjatë sezonit të dimrit ka filluar të ushtrojë kontrolle të vazhdueshme në gjithë territorin e Kosovës.
Kelani ka thënë se është shtuar prezenca e njësiteve të trafikut në rrugë, me qëllim që, siç tha ai, të parandalohen aksidentet në komunikacionin rrugor.
