Maqedoni

Ahmeti–Huitfledt: Ta kthejmë vëmendjen te ekonomia dhe investimet

08.12.2015 15:34

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka pritur sot kryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Mbrojtje në Parlamentin norvegjez, Aniken Huitfledt...

Në takim u diskutua rreth situatës aktuale politike, zbatimit të Marrëveshjes së qershorit dhe korrikut, integrimit euroatlantik, marrëdhëniet bilaterale dhe veçanërisht për investimet norvegjeze në Maqedoni. Marrëveshja e Përzhinës po zbatohet në pikat kyçe të saj edhe pse me disa vonesa, deklaroi Ahmeti duke shtuar se pret që edhe pjesët e tjera që kanë mbetur të zbatohen së shpejti.

Por, sipas tij, vëmendja e ndërkombëtarëve dhe e politikanëve në vend duhet të rikthehet në zgjidhjen e çështjes së emrit, si pengesë e vetme për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

Procesi euroatlantik siguron marrëdhënie të mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm, si dhe zhvillim ekonomik dhe investime të huaja, shtoi Ahmeti.

Ai shprehu mirënjohje për kompanitë shtetërore norvegjeze që menaxhojnë me Zonën e Lirë Ekonomike të Tetovës, ku tashmë janë siguruar katër investime të huaja, që do të hapin mijëra vende pune, ndërsa ftoi bizneset norvegjeze që të investojnë në zonat në Tetovë, Strugë dhe Kërçovë.