Ndotja, Pekini ndez “alarmin e kuq”, mbyllen shkolla e institucione
Autoritetet kineze kanë lëshuar për herë të parë “alarmin e kuq” për nivelin e smogut...

Shkollat në Pekin janë mbyllur, kantieret e ndërtimit janë urdhëruar të ndalin punën. Autoritetet presin që kjo situatë të zgjasë të paktën 3 ditë rresht dhe kanë kufizuar lëvizjen e automjeteve për të ndihmuar në lehtësimin e saj.
Mbrëmë monitoruesi i ajrit tregoi se intensiteti i grimcave helmuese ishte 10 herë mbi kufirin e lejuar.
Në disa zona të Pekinit dukshmëria arriti deri në 200 metra. Niveli i ndotjes në Pekin arriti mbi 256 mikrogramë për metër kub në disa nga zonat më të prekura.
Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson 25 mikrogramë për metër kub si nivelin më të sigurt. Javën e kaluar, aktivistët e Greenpeace i bënë thirrje qeverisë kineze që të shpallte alarmin e kuq.
Deri para pak ditësh, niveli i alarmit në kryeqytet ishte në nivelin portokalli, i dyti për nga rreziku nga 4 shkallë të mundshme. Alarmi i kuq është niveli më i lartë i alarmit dhe nuk është përdorur kurrë më parë në kryeqytet.
Qyteti i vetëm kinez që ka shpallur të kuqin ka qenë Nanxhingu, në dhjetor 2013.
Industritë e përpunimit të minerareve dhe impiantet që ofrojnë ngrohjen, pa përjashtuar pluhurin që shkaktohet nga ndërtimet, kanë kontribuar në ndotjen e ajrit, në qytetin ku mbretëron lagështia dhe ka mungesë të theksuar erërash që do ta pastronin smogun industrial.
LEUNORA KALIQI
