Botë

Anija ruse në Bosfor, Turqia thërret ambasadorin rus

08.12.2015 17:01

Vazhdojnë të jenë të tendosura marrëdhëniet mes Rusisë dhe Turqisë...

Ambasadori rus në Ankara është thirrur me urgjencë nga autoritetet turke, për të shprehur të gjithë pakënaqësinë dhe shqetësimin e Turqisë, pasi një anije luftarake ruse është parë të kalonte në Bosfor me raketat gati për sulm. 
 
Ministri i Jashtëm, Mevlut Cavusoglu, e cilësoi këtë parakalim një provokim të pastër, duke deklaruar se në të ardhmen përgjigjja e Turqisë do të jetë ajo e duhura ndaj situatave që vlerësohen si kërcënuese.
 
Anija që solli reagimin e ashpër të Turqisë quhet “Kaesar Kunikov” dhe polemikat e patën zanafillën menjëherë pasi disa televizione transmetuan një foto të një ushtari, i cili kishte në krah një raketë-hedhës, në dukje gati për ta përdorur. 
 
Ministri i Jashtëm turk, Causoglu, i kërkoi Rusisë të tregohet më e matur, duke nënvizuar se deri më tani Turqia nuk i ka ndaluar anijet ruse të lundrojnë përmes Bosforit, në respekt të marrëveshjes së Montro. 
 
Zanafilla e tensionit ishte aksidenti ajror në kufirin turko-sirian, kur forcat ushtarake turke rrëzuan një avion luftarak rus.