Maqedoni

Komisioni Anketues nesër fillon dëgjimin, Gruevski nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen

08.12.2015 17:06

Asnjëri nga tre funksionarët e lartë shtetërorë, përfshi edhe kryeministrin, Nikolla Gruevski...

Asnjëri nga tre funksionarët e lartë shtetërorë, përfshi edhe kryeministrin, Nikolla Gruevski, dhe as tre ish funksionarët e tjerë të ftuar nga Komisioni Anketues nuk i është përgjigjur me shkrim ftesës së këtij trupi për të dëshmuar për skandalin me përgjimet. 
 
Edhe pse nuk ka një konfirmim me shkrim për pjesëmarrje nga dëshmitarët e ftuar, kreu i komisionit, Petre Shilegov, ka caktuar seancën e Komisionit për dëgjimin e dëshmitarëve për ditën e mërkurë, në orën 11.
 
Sipas radhitjes që ka bërë vetë kryetari i Komisionit, në seancën e nesërme është ftuar të dëshmojë kryeministri, Nikolla Gruevski, si propozim i parë në listën e parashtruar nga anëtarët e Komisionit nga radhët e VMRO-së, edhe pse këta të fundit, jozyrtarisht, e kanë njoftuar kryetarin e Komisionit se kryeministri Gruevski mund të dëshmojë më 14 dhjetor dhe jo më 9 dhjetor. 
 
Mirëpo, Shilegov vlerëson se puna e Komisionit është emergjente dhe me afat të kufizuar, prandaj dëshmitarët duhet t’i shtyjnë angazhimet e tjera dhe t’i përgjigjen ftesës së Komisionit për të dëshmuar.
 
Edhe pse të ftuarit nuk e kanë obligim ligjor që t’i përgjigjen ftesës së Komisionit, mosparaqitjen e tyre në Komision për të dëshmuar për skandalin me përgjimet duhet ta gjykojnë vetë qytetarët, thotë Shilegov.
 
Ndryshe, anëtarët e Komisionit nga radhët e VMRO-DPMNE-së kanë ftuar kryeministrin, Nikolla Gruevski, ministrin për Financa, Zoran Stavrevski dhe ish ministren e Brendshme, Gordana Jankullovska, ndërsa ata të opozitës maqedonase kërkojnë dëshminë e ish shefit të DSK-së, Sasho Mijallkov; atë të Martin Protugerit, shef i kabinetit të kryeministrit dhe dëshminë e Mile Janakievskit, ish ministër i Transportit dhe Lidhjeve.
 
Konformë planit për punë të Komisionit Anketues, gjashtë dëshmitarët do të duhet të dëshmojnë para Komisionin Anketues në periudhën prej 9 deri më 15 dhjetor, tani, sipas radhitjes që një ditë më parë e shpalosi kreu i Komisionit, Petre Shilegov.
 
SHPËTIM NUREDINI