Maqedoni

Trpevska: politikanët kanë frikë nga kritika publike

08.12.2015 17:20

Derisa përfaqësuesit e partive politike në Grupin e punës nuk po arrijnë marrëveshje për mediat...

Derisa përfaqësuesit e partive politike në Grupin e punës nuk po arrijnë marrëveshje për mediat, ekspertët vlerësojnë se frika e politikanëve nga kritika publike bën që ata të mos arrijnë t’i harmonizojnë qëndrimet. 
 
Snezhana Trpevsksa nga Instituti Maqedonas i mediave thekson se duhet arritur sa më parë një marrëveshje për çështjet e hapura të mediave, pasi ka ngelur pak kohë deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për çka edhe është ngritur kjo çështje. 
 
“Këtë funksion të vetin ata sikur nuk e kuptojnë. Gjatë gjithë kohës flitet dhe insistohet që çështja e medias të zgjidhet, por zgjidhje nuk ofrojnë. Nuk mund të di se si brenda në partitë mendohet, por si duket ata kanë fobi nga kritika publike. Ata nuk janë sensibil ndaj vlerave të vërteta demokratike. Gjithsesi, ata duhet të gjejnë sa më shpejt një zgjidhje të pranueshme për të gjithë për çështjet e hapura të mediave”- deklaroi ekspertja mediatike, Snezhana Trpevska.
 
Trpevska vlerëson se me ligj duhet të ndërpritet reklamimi shtetëror dhe ai politik, ndërsa reformat të përfshijnë edhe Servisin Publik, me qëllim të krijimit të balancit politik gjatë informimit të qytetarëve.
 
Po ashtu ajo theksoi edhe nevojën që një herë e përgjithmonë gazetarët të marrim një qëndrim të përbashkët lidhur me reformat në media, që t’i bindin partitë politike se mediat patjetër duhet të jenë të lira nga çfarëdo lloj ndikimi.
 
SANIJE KASAMI