Maqedoni
Tsipras propozon që migrantët ekonomik të ndahen me Maqedoninë
08.12.2015 17:29
Shkupi zyrtar duhet të kuptojë se migrantët duhet që të kthehen në vendet e tyre ose të bëhet ndarje mes Maqedonisë dhe Greqisë, ka thënë kryeministri grek, Aleksis Tsipras...
Shkupi zyrtar duhet të kuptojë se migrantët duhet që të kthehen në vendet e tyre ose të bëhet ndarje mes Maqedonisë dhe Greqisë, ka thënë kryeministri grek, Aleksis Tsipras, në një intervistë për televizionin grekERT.
Sipas tij, Greqia nuk mundet e vetme të përballet me fluksin e madh të migrantëve.
“Nëse Shkupi dëshiron që të mbyllë kufirin, që mos të hyjnë ata të cilët nuk janë refugjatë, duhet ta kuptojë edhe Shkupi, por edhe BE dhe Bashkësia Ndërkombëtare se ata të cilët nuk janë refugjatë duhet që të kthehen në vendet e tyre, ose të vendosim që t’i ndajmë, por mos të mbeten në Greqi”- tha Tsipras.
Por, kryeministri, Nikolla Gruevski, mbrëmë deklaroi se Maqedonia ka të drejtën, por edhe detyrimin që të mbrojë interesat shtetërore dhe interesat e qytetarëve të saj. Ai po ashtu theksoi se vendimet për t’u përballur me krizën e migrantëve Maqedonia i merr në koordinim me vendet tjera të BE-së.
“Ne nuk kemi të drejtë të sjellim vendime të cilat do të kënaqin dikë, ndërsa ajo të jetë në dëm të qytetarëve të vendit tonë. Askush nuk na ka dhënë atë të drejtë, sidomos në situatën kur një sistem i cili është i ndërlidhur, veprimet dhe sjelljet tona në lidhje me fluksin e refugjatëve janë të ndikuara nga vendimet e vendeve tjera që gjenden në rrugën e refugjatëve. Për atë duhet të veprojnë në koordinim me vendet tjera”- tha kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.
Pas vendimit për të mos lejuar migrantët ekonomik, që vijnë nga vendet të cilat nuk janë të përfshira në konflikt, ka rifilluar edhe transporti jolegal i migrantëve.
Dje rreth orës 13 në Negotinë, policia ka tentuar të ndalojë një automjet të tipit “Volksvagen sharan” me targa të Shkupit, i cili nuk është ndalur.
Për kohë të shkurt, policia ka arritur ta gjejë automjetin, por vozitësi ka ikur, ndërsa afër automjetit janë kapur 12 migrantë ilegalë nga Irani.
Siç informoi MPB, refugjatët janë dërguar në stacionin policor në Negotinë dhe do të vendosen në Qendrën pranuese për të Huaj. Policia ka marrë masat për gjetjen e vozitësit dhe zbardhjen e tërësishme të rastit.
ERSAN PAJAZITI
