Maqedoni
Ndotja e lartë e ajrit, qytetarët: Ndotja ndjehet sidomos në mëngjes
08.12.2015 17:48
Në Maqedoni është ndezur drita e alarmit sa i përket ndotjes së ajrit...

Në mëngjes dhe në darkë mjegulla dhe smogu gjithnjë e më shumë po na ngulfat. Në disa qytete të vendit është tejkaluar kufiri i grimcave PM, ndërsa ajri është aq i ndotur, sa që në daljen e parë nga shtëpia menjëherë të zihet fryma.
Ashtu si në kryeqendër, ajri ishte i ndotur edhe në lagjet tjera të Shkupit, si dhe në shumë qytete të tjera të vendit. Ndotja e ajrit vërehet gjithandej. Ky mot u bë një përditshmëri e zakonshme, ndërsa autoritetet kompetente vazhdojnë të kërkojnë formula dhe mënyra të ndryshme për tejkalimin e situatës me ajrin e ndotur.
Ueb faqja e cila mat lartësinë e mikrogramëve në metër kub sot nuk ishte në funksion. Ajo nuk punonte dhe nuk mundeshin të merren të dhëna për nivelin e ajrit të ndotur në Maqedoni. Ata pak qytetarë që vëreheshin në kryeqytet kishin dalë t’i kryejnë vetëm obligimet e përditshme, pasi që ajri për ta është tejet i ndotur.
“Normalisht se në orët e mëngjesit është më vështirë, ndërsa pasdite pak pastrohet mjegulla”- theksoi një qytetar.
“Na pengon mjegulla shumë, sidomos njerëzve që janë në moshë si unë”- tha një qytetar.
“Patjetër, ke ndonjë punë duhet me dalë nga shtëpia, na mundon shumë kjo koha”- u shpreh një qytetare.
“Ne mbrohemi duke shmangur lëvizjet e shpeshta nëpër qytetet, vetëm ashtu. Unë këtë vit i kam sugjeruar edhe shoqërisë sime që të dalim kur është ajri më i pastër”- deklaroi një qytetar.
“Dikujt që e ndjen vetën se nuk është mirë me shëndet të mos dalë jashtë, por për veten time nuk mund të them se nuk më pengon”- potencoi një qytetare.
Për shkak të ajrit të ndotur, në Klinikën e Pulmologjisë në Shkup është rritur numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë si pasojë e ndotjes së ajrit. Mjekët e kësaj klinike u apelojnë qytetarëve të moshuar, grave shtatzëna, fëmijëve, por edhe të tjerëve të cilët janë të shëndoshë të mos dalin në ambiente të hapura deri sa mjegulla ka zbritur poshtë.
Sipas autoriteteve, ndotja e ajrit do të zgjasë deri në fund të javës, atëherë kur janë paralajmëruar edhe reshjet e para të shiut.
Autoritetet në aeroportin e Shkupit dhe të Ohrit deri më tani nuk kanë paralajmëruar asnjë anulim të aterimeve dhe fluturimeve, ndërsa Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë u rekomandon drejtuesve të makinave të përshtatin shpejtësinë e automjeteve në varësi të shikueshmërisë së rrugëve.
REXHEP QAMILI
