Botë

Kosovë, arrestohen dy deputetë të opozitës

08.12.2015 17:51

Policia e Kosovës ka arrestuar dy deputetë të opozitës. Bëhet fjalë për deputetët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli...

Arrestimin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, e cila ka theksuar se dy deputetët janë arrestuar në bazë të një urdhërarresti për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Deputetja Haxhiu në momentin e ndaljes nga policia planifikonte të udhëtonte për në Gjilan, ku do të mbahej një tubim me aktivistët e Vetëvendosjes. Ndërsa deputeti Topalli është arrestuar derisa po qëndronte në zyrën e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, në ndërtesën e Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj arrestimit të deputetëve të saj. Në reagim thuhet se qeveria kriminale, PDK-LDK-Srpska, po e përdor secilin mjet për ta shtypur opozitën ashtu që t’i realizojë projektet e Serbisë në Kosovë.

Sipas VV-së, veprimet e deputetëve të opozitës brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës janë në funksion të mbrojtjes së sovranitetit të shtetit.

“Opozita e bashkuar nuk do të ndalet deri në tërheqjen e marrëveshjeve të 25 dhe 26 gushtit. Nëse Qeveria e Kosovës nuk guxon t’i tërheqë marrëveshjet, atëherë le t’i hedhë në referendum dhe le të vendos populli i Kosovës për to. Nëse as referendumin nuk guxon ta organizojë, atëherë duhet që sa më parë vendi të shkojë në zgjedhje”- thuhet në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kundër arrestimeve kanë reaguar edhe dy partitë tjera opozitare, AAK dhe Nisma. Për akuzën e njëjtë janë arrestuar edhe 5 deputetë të tjerë të opozitës, tre prej të cilëve ndodhen në arrest shtëpiak, ndërsa Albin Kurti i Vetëvendosjes dhe Donika Kada Bujupi e AAK-së ndodhen në paraburgim 30 ditorë.   

GAZMEND REXHEPI