Botë

Vatikan, Nis sot Viti Jubilar i Mëshirës i shpallur nga Papa Francesko

08.12.2015 21:57

Ka nisur sot në Vatikan, Viti Jubilar i Mëshirës i shpallur nga Papa Francesko deri më 20 Nëntor të 2016...

Është ky Jubileu i 30 në historinë e Kishës Katolike e për herë të parë me një teme dedikuar Mëshirës e Faljes. “Mëshira nuk është mirësi, deklaron Sekretari i Shtetit të Vatikanit kardinali Pietro Paroli. Mëshira është rruga e mirëkuptimit mes dallimeve e që ndihmon në vendosjen e paqes mes konflikteve.”
 
Ky event i saponisur është gjithashtu dhe Jubileu i Parë në Vatikan i organizuar nën kërcënimin e Shtetit Islamik ISIS.
 
Qysh në orët e para të mëngjesit besimtarët katolikë kanë populluar sheshin “Shën Pietro” nën masat e një kontrolli të rreptë sigurie. Brenda e përreth mureve të Vatikanit vigjilojnë rreth 2500 forca të ushtrisë italiane, 1000 agjentë të policisë, 900 policë rrugorë, 250 telekamera, 140 makina policie e 100 automjete civile.
 
Besimtarët katolikë mbërrijnë në sheshin Shën Pietro përmes vetëm tre rrugëve kalimi, të cilët radiografojnë cdo person që kalon në to, veshjet e cantat e tyre.
 
Një delegacion i përbërë nga 10 anëtarë nga Shoqata e Bashkimit Islamik në Itali, është i pranishëm në ceremoninë e hapjes së Vitit Jubilar të Mëshirës në Vatikan.
 
“Është ky një gjest përqafimi ndaj këtij eventi madhështor të Mëshirës, e që bashkon të gjithë njerëzimin për të fituar kundër frikës , është shprehur Kryetari i kësaj shoqate z. Izzeddin Elzir.
 
“Mëshirën duhet ta vëmë nën gjykim, u shpreh Papa Françesko në homelinë e tij gjatë kësaj Meshe, e gjithmonë gjykimi i Zotit do të jetë në shërbim të këtij gjykimi,”
 
Më pas Papa Françesku ka hapur Portën e Shenjtë në Katedralen e Shën Pietros në Vatikan, një rit simbolik që zë fill nga viti 1499 e që shënon nisjen zyrtare të Vitit të Shenjtë. Është kjo një rrugë hyrjeje që zakonisht qëndron e mbyllur nga një mur e që hapet vetëm gjatë shpalljes së Vitit Jubilar të Kishës.
 
Bashkë më Papa Francesko kanë kapërcyer këtë Portë të Shenjtë dhe Papa i Nderit Ratzinger.
 
“Të hysh në këtë Portë, u shpreh Papa Francesku do të thotë të zbulosh thellësinë e mëshirës së Zotit që i pranon të gjithë e që të gjithë e kanë takuar personalisht”.
 
Më datën 13 dhjetor Papa Francesku ka urdhëruar hapjen e të gjitha portave të Shenjta në të gjitha katedralet e Kishës Katolike në botë.
 
Ceremonia e nisjes së Vitit Jubilar të Mëshirës ka vazhduar pasdite me homazhet e Papa Franceskut në statujën e Virgjëreshës Maria në Sheshin Spanja në qëndrën historike të Romës e me vizitën e tij në Katedralen Santa Maria Maggiore./Oranews