Francë, identifikohet kamikazi i tretë i “Bataclan”-it
Policia franceze ka identifikuar personin e tretë, që hodhi veten në erë në sallën e koncerteve “Bataclan”, gjatë sulmeve të 13 nëntorit në Paris...

Bëhet fjalë për 23 vjeçarin, Fouad Mohamed-Aggad, nga Strasburgu. Të dhënat e deritanishme tregojnë se, nga fundi i 2013-ës Aggad kishte udhëtuar në Siri, si pjesë e një grupi të rinjsh të radikalizuar.
Një pjesë e anëtarëve të grupit u arrestuan menjëherë pas kthimit në Francë, por ai në atë kohë i shpëtoi burgut për t’u kthyer më pas në njërin prej kamikazëve të “Bataclan”-it.
Dy agresorë të tjerë të vetëvrarë në teatrin e mbushur me njerëz janë identifikuar, si francezi Omar Ismail Mostefai, 29 vjeç, dhe 28 vjeçari, Samy Amimour. 90 persona vdiqën në “Bataclan” muajin e kaluar.
Mostefai u zbulua nga një pjesë gishti e gjendur në vendngjarje. Në 2010-ën autoritetet e shpallën të dyshuar si ekstremist i akuzuar për lidhje me terrorizmin në bazë të pretendimeve se ishte duke planifikuar një udhëtim në Jemen.
Por, i riu u zhduk dhe autoritetet lëshuan një urdhërarrest ndërkombëtar në emër të tij. Shpërthimet e të shtënat në kryeqytetin francez treguan se, siguria në kontinentin e vjetër nuk është aq e palëkundshme, masat e forta që u morën gjatë muajit nëntor në shtete të ndryshme e përforcuan edhe më shumë këtë ide.
Roma nisi instalimin e detektorëve të metaleve pranë Koloseut, pasi FBI-ja identifikoi një sërë monumentesh italiane si shënjestra të mundshme të terrorizmit; Brukseli anuloi festivalin studentor që mbahej përvit në qendër të qytetit; një prej terminaleve të Aeroportit të Kopenhagenit u mbyll pas gjetjes së një pakoje të dyshimtë; Suedia ngriti në mbarë vendin nivelin e alarmit, nxitur nga njoftimet e shërbimeve të inteligjencës mbi një sulm të planifikuar atje; e njëjta arsye që çoi atëherë edhe në pezullimin e ndeshjes së futbollit Gjermani-Holandë në Hanover.
LEUNORA KALIQI
