Kufizime për të hyrë në ShBA nëse keni qenë në Irak, Iran, Siri apo Sudan
Dhoma e Përfaqësuesve amerikanë me shumicë votash e ka miratuar të martën projekt-ligjin...

Dhoma e Përfaqësuesve amerikanë me shumicë votash e ka miratuar të martën projekt-ligjin, sipas të cilit shtohen kufizimet mbi qytetarët të cilët kanë qenë në Irak, Iran, Siri apo Sudan, e të cilët duan t’i vizitojnë Shtetet e Bashkuara.
Me projekt-ligjin e ri, të gjithë qytetarët që vijnë nga vendet prej nga nuk iu është kërkuar vizë për të hyrë në ShBA, përfshirë vende nga Evropa Perëndimore, që të aplikojnë për vizë amerikane nëse të njëjtit në pesë vitet e fundit kanë qenë në katër shtetet që konsiderohen si vende me elemente terroriste.
Projekt-ligji njashtu kërkon nga vendet perëndimore që hyjnë në mesin e vendeve qytetarëve, e të cilave vende deri më tani nuk iu është dashur vizë për të hyrë në ShBA, që të shkëmbejnë informacione me autoritetet amerikane në lidhje me terroristët e dyshuar.
Projekt-ligji, i cili është kaluar me 407 vota për dhe 19 kundër, është pjesa e dytë e legjislacionit të sigurisë në ShBA që nga sulmet e 13 nëntorit në Paris.
Presidenti Obama është zotuar se do ta nënshkruaj atë, por Shtëpia e Bardhë është zotuar se do ta përdorë veton në një projekt-ligj të dytë të miratuar nga Dhoma, përmes të cilit vendosen kritere të ashpra për refugjatët nga Siria dhe Iraku.
