Botë

Siri, evakuohen banorët e një lagjeje në Homs

09.12.2015 13:03

Në Homs të Sirisë ka nisur evakuimi i banorëve të një lagjeje që është nën kontrollin e kryengritësve...

Evakuimi bëhet si rezultat i një marrëveshjeje të ndërmjetësuar me regjimin e Bashar al-Assadit.
 
Raportet bëjnë me dije se tre autobusë të ngarkuar me rreth 150 persona, shumica nga të cilët civilë, mëngjesin e sotëm e kanë lënë lagjen al-Waer.
 
Rreth 3 mijë e 200 luftëtarë kryengritës e familjarë të tyre pritet të evakuohen si rezultat i një marrëveshjeje të arritur javën e kaluar, marrëveshje e arritur në kuadër të përpjekjeve për qëndrime të përbashkëta para mbajtjes së bisedimeve për paqe. 
 
Ndërkohë, anëtarët e opozitës dhe përfaqësuesit e kryengritësve janë takuar sot në kryeqytetin e Arabisë Saudite, me qëllim të krijimit të qëndrimeve të përbashkëta në bisedimet e paqes, që pritet të mbahen javën e ardhshme.
 
Në mbledhjen, që po mbahet në Riad, po marrin pjesë edhe anëtarët e grupit të fuqishëm islamik, Ahrar al-Sham, themeluesit e së cilës kishin lidhje me Al-Kaidën.
 
Por, në këtë takim nuk janë ftuar të marrin pjesë dega e Al-Kaidës në Siri, fronti Al-Nusra dhe kurdët sirianë.