Botë

Ushtria e Assadit rimerr Homsin, rebelët bëjnë armëpushim me qeverinë

09.12.2015 13:08

Rebelët sirianë po evakuohen nga qyteti gjysmë i rrënuar i Homsit, pas arritjes së një armëpushimi me qeverinë e Bashar al-Assadit...

Sipas Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut, vulosja e një pakti të tillë nënkupton se Homsi tashmë kthehet tërësisht nën kontrollin e trupave të regjimit.
 
Të larguarit do t’iu drejtohen disa zonave të provincës së Idlibit, të cilat janë ende në duart e rebelëve.
 
Nga Homsi pritet të largohen rreth 800 persona, luftëtarë antiqeveritarë dhe civilë.
 
Përpara arritjes së marrëveshjes, autoritetet siriane liruan 35 mbështetës të opozitës, që mbaheshin të burgosur në Homs, ndërsa në disa zona të vendit, Damasku zyrtar u ka lejuar grupeve kryengritëse të mbajnë armët e tyre e të kenë edhe një farë kontrolli mbi komunitetet. 
 
Homsi është qyteti ku në vitin 2011 filluan protestat e para kundër regjimit të Asadit.
 
Në 2012-ën, ushtria nisi një valë bombardimesh ndaj zonave të kontrolluara nga rebelët, duke e kthyer një pjesë të qytetit në gërmadhë.
 
Tani, falë marrëveshjes së armëpushimit të arritur me ndërmjetësimin e OKB-së, në lagjen Al-Uaer, ish-bastion të kryengritësve, kanë mbërritur ndihma ushqimore për të parën herë pas një viti. Homsi, qyteti i tretë më i madh i Sirisë, ka pasur gjithmonë një rëndësi kyçe gjeografike, strategjike dhe ekonomike.
 
Përpara revoltës, popullata e tij llogaritet në gati 1,5 milionë banorë. 
 
GAZMEND REXHEPI