“Sopoti”, “Monstra”, Kumanova”, Jashari: Janeva vendos vetë për këto raste

09.12.2015 14:48

Ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, nuk e përjashton mundësinë që rasti i Kumanovës të shkojë në duart e prokurores speciale, Katica Janeva...

Por, ai sqaron se që të ndodhë një transfer i tillë i lëndës duhet të dorëzohet kërkesë nga pala mbrojtëse, e më pas Prokuroria Speciale të vendosë se a është kjo lëndë në kompetencë të saj.

“Po unë kam deklaruar se në kuadër të kompetencave prokurorja speciale duhet të vendosë për të gjitha çështjet apo për të gjitha rastet të cilat në bazë të informatave që ajo do t’i posedojë do të vlerësojë se a ka elemente për të iniciuar procedurë penale, përfshirë këtu edhe rastin “Monstra”, “Sopot”, por edhe raste të tjera, sepse në Maqedoni ka disa raste që në një farë mënyre janë të njohura për opinionin e gjerë”- deklaroi ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.

Sa i përket zërave se pas mbarimit të seancës gjyqësore të akuzuarit për incidentin e Kumanovës janë torturuar fizikisht gjatë kthimit të tyre nëpër burgje, ministri Jashari thotë se nëse një gjë e tillë vërtetohet, ai do të kërkojë përgjegjësi nga organet kompetente.

“Unë kam informata jo të dorës së parë, por informata nga burime të ndryshme, por jo të vërtetuara, se jo brenda, por pas përfundimit të procedurës, gjatë transportit, gjoja se ka pasur cenime të caktuara të të drejtave dhe lirive të njeriut. Janë organet kompetente që duhet të vlerësojnë  se ka dhe duhet ndërmarrë masa. Por, unë si ministër nuk jam kompetent në këto faza, por normalisht si ministër i Drejtësisë mund dhe do të kërkoj që të marr informata të sakta, veçanërisht nga organet që kanë kompetencë për të vërtetuar se ka apo jo masa, që ju i theksoni si torturë, ndaj personave që në këtë fazë konsiderohen si të akuzuar”- tha ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.

Ndërsa sa i përket Ligjit për Prokurori Speciale Publike, ministria Jashari edhe një herë ripërsëriti se ministri i drejtësisë nuk është propozues, por me kërkesë të institucioneve, në kuadër të kompetencave që ka, mund të përgatisë ligje dhe ato t’ia përcjellë organit gjegjës, respektivisht propozuesit. (Sanije Kasami, TVM2)