Festat po afrohen, kujdes me fishekzjarret!!!
Plasja e fishekzjarreve mund të sjellë kënaqësi të çastit, por ndonjëherë ndodhë që kjo kënaqësi të zëvendësohet me lëndime dhe pasoja të përjetshme...

Për këtë qëllim Sektori i Punëve të Brendshme, Reparti për Preventivë në bashkëpunim me Kryqin e Kuq ka mbajtur trajnim në Kolegjin “Jahja Kemal” për vetëdijesimin e nxënësve dhe të rinjve për pasojat që mund të sjellin mjetet piroteknike.
“Qëllimi kryesor i fushatës është që të ruhet niveli i sigurisë së përgjithshme në zonat e qytetit të Shkupit gjatë kohës së festave të Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve”- deklaroi kryeshefja e Repartit për Preventivë pranë MPB-së, Biljana Milevska.
“Me ushtrimet e sotme duam të tregojmë se sa janë të rrezikshme mjetet piroteknike dhe t’u apelojmë prindërve, pastaj nxënësve dhe fëmijëve, që mos t’i përdorin fare mjetet piroteknike, sepse janë shumë të rrezikshme”- tha Dimitar Sokolovski nga Kryqi i Kuq.
“Nuk do t’i festoj më festat me fishekzjarre, si i festojnë të tjerët, se janë shumë të rrezikshme, sepse mund ta humbim dorën, mund të na pëlcasin në dorë”- u shpreh një nxënës.
“E di që janë të rrezikshme, unë i shfrytëzoj fishekzjarret vetëm për Vit të Ri me prindërit e mi”- theksoi një nxënës.
Nga Sektori i Punëve të Brendshme bëjnë thirrje për më shumë kujdes, sidomos gjatë muajit Dhjetor dhe Janar, për shkak të prezencës së madhe të mjeteve piroteknike gjatë festave. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
