Izairi për ndotjen: Mobilizim i përgjithshëm, komunat të përfshihen

09.12.2015 16:03

Secili prej nesh mund të kontribuojë në ndotjen e ajrit, pasi një prej ndotësve më të mëdhenj, krahas kompanive, janë edhe automjetet dhe amvisëritë...

Në kohën kur disa qytete të vendit përballen me ndotjen e lartë të ajrit, është me rëndësi të madhe një mobilizim i përgjithshëm si nga institucionet ashtu edhe qytetarët.

Kështu deklaroi ministri i Ambientit, Nurhan Izairi, sipas të cilit një pjesë e madhe e kompetencave, që kanë të bëjnë me masat për mbrojtje nga ndotja e ajrit, u takojnë komunave, ndërsa Ministria u ka dhënë atyre rekomandimet se çfarë duhet të ndërmerret në rastet kur për pesë ditë me radhë kemi ndotje të lartë.

“Është mirë që këtë pyetje t’ua bëni kryetarëve të komunave se çka do të ndërmerret, sepse një pjesë shumë e madhe e përgjegjësive, siç e dini, u takon kryetarëve të komunave, që të harmonizohen me planin operativ dhe të kenë planin se si duhet të dalin nga kjo situatë. Ne i kemi dhënë sugjerimet se cilat hapa duhet t’i ndërmarrë komuna në rastet kur 5 ditë radhas tejkalohet ndotja dhe cilat nëse tejkalohet për 10 ditë me radhë”- deklaroi ministri i Ambientit Jetësor, Nurhan Izairi.

Izairi njëherit paralajmëroi se më 17 dhjetor do të mbahet një takim me të gjithë kryetarët e komunave që kanë probleme me ndotjen e lartë të ajrit, ku do t’u jepen udhëzime se si me problemin e ndotjes janë përballur vendet më të zhvilluara.

Ajri është i ndotur edhe në Paris dhe Londër, por atje kontributin e tyre e japin edhe qytetarët. Prandaj kur “Jugohromi” punon me vetëm 20% të kapacitetit dhe Tetova përsëri ka nivel të lartë të ndotjes, ashtu si edhe Shkupi, Kërçova dhe Manastiri, ministri Izairi apelon që t’i lëmë automjetet në shtëpi dhe në punë të udhëtojmë me transportin urban. (Gyltene Sinani, TVM2)