Kuvend, miratohen ndryshimet ligjore për sigurim social
Me shumicë votash dhe pa kundërshtime midis pushtetit dhe opozitës, kuvendi i miratoi ndryshimet e ligjeve për kontribute nga sigurimi i detyruar social dhe për sigurimin invalidor dhe pensional....

Me ndryshimet propozohet që dispozitat ligjore të fillojnë të zbatohen prej 1 dhjetorit të vitit 2017.
Ndryshimet gjithashtu do t’u mundësojnë bujqve individual, të cilët do të ndahen në tre kategori, t'i paguajnë kontributet sipas bazave të ndryshme, edhe atë në bazë të të ardhurave të realizuara dhe të ekonomisë bujqësore familjare.
“Tek kategoria e parë dhe e dytë ligji cakton që baza për pagesë të kontributeve të jetë 20 për qind nga rroga e paguar mesatare, e kumtuar në janar të vitit rrjedhës, sipas të dhënave nga Enti shtetëror i Statistikave. Për bartësit e ekonomive familjare bujqësore nga kategoria e tretë, baza do të jetë 50 për qind nga paga e paguar mesatare për punëtorë në RM"- deklaroi ministri i Financave, Zoran Stavreski.
Deputetët e miratuan edhe propozimin plotësues të Ligjit për punësim të të huajve, me të cilin rregullohen kushtet dhe mënyra në të cilën mund të punojnë të huajt në shtet, si dhe procedurën për dhënien e lejeve të punës.
Sipas ligjit, siç sqaroi zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale, Ibrahim Ibrahimi, të huajt duhet të posedojnë leje për punë dhe t'u jetë i rregulluar statusi në shtet, ndërsa kuotat e lejeve për punë të të huajve do t'i rregullojë Qeveria me propozim të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale dhe Agjencisë për Punësim. (Naim Ramadani, TVM2)
